Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar për nesër një seancë gjyqësore ndaj Remzi Shalës për rastin e vrasjes së Haxhi Perteshit, gjatë kohës së luftës.
Shala, i cili gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe”, në dhjetor kishte pranuar ftesë që më 17 janar të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale.
Kur e kishte marrë ftesën, Shala kishte deklaruar për Kallxo.com se nuk i beson kësaj Gjykate dhe u kishte bërë thirrje bashkëluftëtarëve të tij që të mos i përgjigjen ftesave për intervistim.
“Unë Komandant (Molla e Kuqe) i togut të njësisë speciale të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, kishte thënë ai.
Por në të njëjtën kohë ndaj Remzi Shalës është duke u zhvilluar një tjetër proces gjyqësor në Gjykatën Themelore Prizren.
Remzi Shala është duke u gjykuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.
Gjykimi është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Në seacën e paraparë për ditën e nesërme, Remzi Shala është planifikuar të japë mbrojtjen e tij, dhe do të jepej fjala përfundimtare, andaj kishte gjasa që me paraqitjen e Remzi Shalës, rasti edhe të merrte epilogun edhe para datës 17 janar.
Por, Natal Bullakaj, avokati i Remzi Shalës, ka deklaruar se nuk ka asnjë kontakt me Shalën, dhe se nuk e ka parë që nga muaji dhjetor kur e ka pranuar ftesën për Gjykatë Speciale.
“Ku ka ikur dhe si ka ikur vetëm ai e di, ngase nga muaji dhjetor kur edhe kishte pranuar ftesën për t’u intervistuar në Gjykatën Speciale, më nuk kam pasur kontakt me të, por as edhe askush nga familja e tij nuk ka dijeni se ku gjendet”, tha avokati Bullakaj.
Asdren Hoxha, përfaqësuesi i familjes Përteshi, tha se ai nesër do të paraqitet në seancë, sepse nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ana e Gjykatës për mungesën eventuale të Shalës.
“Se çka ndodh më tutje mbetet të shihet, dhe i mbetet trupit gjykues të vendos për rrjedhën e procedurës së mëtutjeshme”, tha avokati Hoxha.
Remzi Shala që gjatë luftës mbajti nofkën “Molla e Kuqe” në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” kishte mohuar se ishte i përfshirë në privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.