I mituri palestinez dërgohet në Qendrën e Azilit në Magure, drejtori thotë se nuk ka shenja dhune

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Qendrës për Azil në Magure, Fitim Zariqi e ka mohuar se një i mitur 16-vjeçar i ardhur nga Pelestina është në gjendje të rëndë.

Këto pretendime i bëri të martën avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, sipas të cilit fëmija palestinez ishte rrahur në një stacionin policor në Kosovë.

Por, Fitim Zariqi për Gazetën Objektiv tha se të miturin e kanë pranuar dje në Qendrën për Azil, dhe se të njëjtit nuk i janë vërejtur shenja të dhunës.

Ai thotë se palestinezi bashkë me një djalë të moshës madhore, ishte gjetur duke fjetur nga policia e Kosovës në një shtëpi të pabanuar.

“Ky është i shoqëruar me një shok të vetin, ai është i moshës madhore rreth 19 vjeçar, por që ne duhet ta verifikojmë atë. Të dytë tanimë janë Qendër. Si e kemi parë ne gjendjen e tij, ai nuk ka treguar që ka shenja të dhunës që janë të freskëta”, u shpreh Zariqi.

Drejtori i Qendrës së Azilit  se shenjat në këmbë të cilat ia kanë hasur atij, janë të shkaktuara nga ecja nëpër rrugët e gjata për të ardhur në Kosovë.

“Nuk kemi vërejtur asnjë shenjë. Policia e Kosovës e ka sjell dje në Qendrën tonë. Gjatë ekzaminimeve ne nuk kemi vërejtur asnjë shenjë. Kuptohet përveç shenjave që i ka për shkak se ka rrugëtuar maleve për të ardhur në Kosovë. Por, sipas mjekëve të Qendrës shihet që ka qelbje në këmbë për shkak të ecjes që ka bërë. Ai ka ardhur prej Greqisë në Shqipëri dhe në Kosovë.”, theksoi më tej ai.

Sipas Zariqit, thuajse të gjithë personat e ardhur në këtë Qendër, i kanë po këto shenja të cilat i janë hasur edhe të miturit nga Pelestina.

“Deri më tani i kemi pasur dikur rreth 1200 persona që kanë hyrë në procedurë të azilit. Të gjithë gati i kanë shenjat e njëjta te këmbët që janë shkaktuar për shkak të rrugëtimit të gjatë në male”, deklaroi Zariqi për Objektiv.

Në anën tjetër, të kontaktuar nga Gazeta Objektiv, nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në një përgjigje me shkrim thonë se nuk kanë pranuar ende asnjë ankesë lidhur me këtë rast.

Të ngjashme