Në Prizren pas një përleshje me thika mes pesë të miturve ka mbetur i vdekur një i ri.
Nga Policia e Prizrenit kanë thënë për Sinjalin se viktima L.B. është 15-vjeçar, ndërkaq edhe i dyshuari është i po të njëjtës moshë.
Tutje ata treguan se i mituri u godit me thikë në pjesën e krahërorit. Policia aktualisht është duke u marrë me të dyshuarin dhe dëshmitarët.
Po ashtu sipas informacioneve të tyre bëhet e ditur se të njëjtit janë nxënës të klasës së 11-të, të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.
Policia sot gjatë ditës bëri të ditur se rasti ka ndodhur në orën 10:10 në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren.
Policia dhe prokurori i shtetit së bashku me forenzikën kanë dalur në vendin e ngjarjes të cilët kanë kryer edhe ekzaminimin e vendit të krimit.
Viktima me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në IML Prishtinë. Rasti është duke u hetuar nga njësia e hetimeve rajonale në Prizren.