“Ibër-Lepenci” nuk lejohet të kryejë remonte as pastrimin e kanaleve në Veri

Prishtinë | 09 Tet 2016 | 09:49 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesit e ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në Prishtinë e pranojnë se nuk kanë qasje në pjesën veriore të Mitrovicës. Atje janë 20 punëtorë të cilët paguhen edhe nga Serbia, përmes Kompanisë Serbe të Energjetikës (EPS) që po i shkaktojnë probleme “Ibër-Lepencit” në caktimin e orarit të gjenerimit të energjisë elektrike.

Gjithashtu, shqiptarë nuk janë lejuar asnjëherë të kryejnë remonte në hidrocentral, as të pastrojnë kanalin rreth 10 kilometra të gjatë në pjesën veriore.

Këto probleme i ka paraqitur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Januz Kabashi, në një intervistë për Ekonomia Online. Ai thotë se ky është një problem politik dhe bën thirrje të zgjidhet sa më shpejt, sepse po e dëmton ndërmarrjen dhe ekonominë e vendit.

“Në pjesën veriore të Mitrovicës, është baseni akumulues, dhe kanali me gjatësi 10 km. Ne atje i kemi 30 punëtorë të cilët marrin paga dhe vazhdimisht na raportojnë për punën tyre në gjenerimin e rrymës elektrike. Mirëpo, kemi problem sepse nuk na kanë lejuar asnjëherë të ndërhyjmë në kanalin 10 km, por as nuk na kanë lejuar të bëjmë remonte. Ndërsa 65 % të të hyrave i kemi prej elektrogjenerimit të rrymës. Ata e kanë sistemin paralel. Janë diku 20 punëtorë që marrin pagë prej Serbie, është EPS-i siç e quajnë ata dhe ka punëtorë që i marrin dy paga. Por ne faktikisht jemi duke funksionuar dhe jemi ne të vetmit që funksionojmë në veri”.

“Problemet më të mëdha që i kemi atje janë caktimi i orarit të gjenerimit të energjisë elektrike. Na i ndryshojnë kur i kemi kërkesat. Mirëpo, deri më tani po funksionon qysh po funksion dhe shpresojmë se deri të ardhmen do të zgjidhet kjo çështje. Megjithatë këto janë problem politike që duhet t’i zgjidhin qeveritë e dy vendeve”, thotë Kabashi.

NH “Ibër-Lepenc”, me seli në Prishtinë, furnizon industritë, si “Kosovën A” e “Ferronikelin”, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar në komunat Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Drenas, Prishtinë dhe Fushë-Kosova, si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit. Atje prodhohen mesatarisht 95 GWh energji elektrike në vit.

Në intervistën para kamerës së Ekonomia Online, Kabashi ka folur edhe për ndotjen e kanaleve të ujitjes, shumica e të cilave janë ndërtuar në vitet 1970-1980. Sipas tij, komuna e Prishtinës është ndotësja me e madhe me ujëra të zeza, por hiq më mirë nuk janë as Vushtrri e Mitrovicë, nëpër territorin e të cilave kalon sistemi.

Problem, përveç ujërave e zeza, po shkaktojnë sidomos mbeturinat, përfshirë ato inerte, të cilat hedhen nga njerëz të pandërgjegjshëm. Ai fajëson inspektoratet komunale se nuk e kryejnë punën siç duhet.

Kryeshefi Kabashi jep detaje rreth planeve për shtrirjen e sistemit deri në Kaçanik dhe investimet që pritet të bëhen me një kredi të Bankës Botërore .

INTERVISTA E PLOTË:

januz-kabashi

EO: Sa është investuar në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”?
Kabashi: Në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, për çdo vit është investuar diku rreth 1 milion euro. Investimet më të mëdha kanë qenë në kanalin kryesor Pridvoricë-Obiliq, njëkohësisht edhe në kanalet sekondare. Është investuar edhe në pjesën e ujitjes, në vazhdimësi. Tani e kemi një projekt nga Banka Botërore, nga e cila Kosova e ka marrë një kredi prej 22 milionë euro për sistemin e kanalit të ujitjes të “Ibër Lepencit”… Në vazhdimësi, po bëhen investime dhe tani po presim që investimi më i madh të bëhet përmes kësaj kredie.

EO: A është bërë ndonjë studim fizibiliteti, sa llogaritet vlera e ndërtimit të tërësishëm të sistemit të “Ibër-Lepencit”? A mund ta përballojë ndërmarrja koston e ndërtimit të sistemit, nëse jo, nga do të sigurohen mjetet?
Kabashi: Është bërë Studimi i Fizibilitetit, këtë e ka bërë një kompani e Bankës Botërore, dhe vlera ka qenë 15 milionë euro dhe janë bërë të gjitha analizat… Në vazhdimësi kanë punuar ata dhe na i kanë dërguar të gjitha studimet dhe ka gjasa të realizohet edhe ky projekt.
Nuk do të kemi problem për pjesën e kredisë prej 15 milionë euro. Madje, nëse merren shënimet në 10-vjeçarin e fundit diku 10 milionë euro janë investuar. Kjo kredi do t’i ketë pesë vjet “grejs periudhë”, ndërsa pagesa do të bëhet për 20 vjet dhe do të përfundojë rreth vitit 2042, që do të thotë se janë bërë të gjitha analizat. Ne si kompani i kemi të gjitha parakontratat që janë edhe me “Kosovën e Re”. Në vitin e ardhshëm do të fillojmë edhe me Ujësjellësin e Prishtinës. Kështu që, mendoj se nuk do të kemi problem me këtë projekt… Riparimi i këtij sistemi do të përfundojë brenda pesë vitesh.

Image result for water

EO: Sa është kapaciteti i akumulimit të ujit nga “Ibër-Lepenci”? Cilat komuna dhe ndërmarrje i furnizon me ujë të pijshëm dhe ujitje?
Kabashi: Për momentin ka ujë të mjaftueshëm dhe është i shtrirë në tetë komuna. Ky akumulues shërben edhe për prodhimin e energjisë elektrike… Shkarkimi bëhet përmes turbinave dhe prej atyre fillon kanali kryesor deri në Obiliq dhe prej Obiliqit furnizohen disa komuna, duke filluar nga Mitrovica, Vushtrria, Kastrioti, Drenasi, Prishtina dhe Fushë-Kosova. Pritet të vazhdojë edhe më tutje, sepse kemi ujë me sasi të mjaftueshme… Me ujë e furnizojmë “Kosovën A”, “Ferronikelin”, ndërsa Ujësjellësit i furnizojmë në të gjitha këto komuna që i përmenda. Furnizojmë edhe 11 mijë hektarë që i mbushin me ujë, por mundësitë që i kemi nuk shfrytëzohen nga fermerët, por vetëm rreth 2 mijë hektarë aq sa ju nevojitet fermerëve.
Po ashtu, në pjesën e Lepencit, tash është fituar një grant prej Ministrisë së Mjedisit dhe do të bëhet fizibiliteti dhe ky projekt do të vazhdojë, sepse është një projekt i rëndësishëm për Kosovën. Parashikohen të bëhen dy akumulues, të ndërtohen hidrocentrale, të ujiten 45 mijë hektarë dhe të furnizohen me ujë të pijshëm diku rreth 250 mijë banorë që shtrihen prej Kaçanikut, Shtimes, Vitisë dhe uji vjen me rënie të lirë në Obiliq…

EO: A është bërë largimi i ujërave të zeza nga kanali i “Ibër-Lepencit”? Keni identifikuar se në cilat komuna ka më shumë rrjedhë të ujërave të zeza në kanal?
Kabashi: Problemi me ujërat e zeza ekziston në të gjithë Kosovën. Kanali kryesor prej Pritvoricës e deri në Obiliq aty është intervenuar më shpejt dhe i kemi sanuar. Jo vetëm që kemi problem se i hedhin ujërat e zeza, por edhe mbeturina hedhin. Ne pjesën e dytë të kanalit që i quajmë të ujitjes, sepse faza e ujitjes ndodhë tre muaj dhe aty ndodh që hedhen mbeturinat. Ne i kemi të identifikuara dhe në vazhdimësi iu bëjmë shkresa komunës dhe inspektorëve regjionalë, mirëpo ata në një çfarë formë nuk po i kryejnë punët si duhet… Problemet më të mëdha i kemi në Prishtinë, zakonisht ku janë ndërtuar lagjet e reja. Jo që i nxjerrin direkt në kanalin tonë, por i derdhin në ndonjë përroskë dhe prej papastërtisë kalojnë në lumin tonë dhe ka problem. Mirëpo këto nuk janë aq të rrezikshme sepse këto kanale janë për ujitje. Mirëpo duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problem i kanalizimeve.

EO: “Ibër-Lepenci” bën dhe gjenerimin e energjisë elektrike në Ujman. Sa janë kapacitetet aktuale?
Kabashi: “Ibër-Lepenci” prodhon 100 mijë MGW për orë, sepse këto nuk punojnë 24 orë, por në bazë të nevojave të shkarkimit të akumuluesit kryesor, në mënyrë që akumuluesi gjithmonë të ketë rezerva. Shkarkimi kalon nëpër turbinë të hidorelektranës dhe prodhon rreth 100 mijë MGW për orë që do të thotë në përgjithësi punon 4-5 orë në ditë nuk prodhon më shumë sepse duhet me ruajtur ekuilibrin dhe sasinë e ujit në basenin kryesor.

EO: Në pjesën veriore të Mitrovicës sa është duke u menaxhuar ndërmarrja? Me cilat sfida ballafaqoheni?
Kabashi: Në pjesën veriore të Mitrovicës, dihet që është kanali akumulues, por është edhe kanali me gjatësi 10 km në pjesën e veriut. Ne atje i kemi 30 punëtorë të cilët marrin paga dhe vazhdimisht na raportojnë për punën tyre gjenerimin e rrymës elektrike. Mirëpo po kemi problem sepse nuk na kanë lejuar asnjëherë të ndërhyjmë në kanalin 10 km, por as nuk na kanë lejuar të bëjmë remonte. Ndërsa 65 % të të hyrave i kemi prej elektrogjenerimit të rrymës. Ata e kanë sistemin paralel. Janë diku 20 punëtorë që marrin pagë prej Serbie, është EPS-i siç e quajnë ata dhe ka punëtorë që i marrin dy paga. Por ne faktikisht jemi duke funksionuar dhe jemi ne të vetmit që funksionojmë në veri.
Problemet më të mëdha që i kemi atje janë caktimi i orarit të gjenerimit të energjisë elektrike na ndryshojnë kur i kemi kërkesat. Mirëpo deri më tani po funksionon qysh po funksion dhe shpresojmë se deri të ardhmen do të zgjidhet kjo çështje megjithatë këto janë problem politike që duhet t’i zgjidhin qeveritë e dy vendeve.

Intervistoi: Resmije Ballazhi | Kamera: Liridon Zejnullahu

Të ngjashme