Ibra nuk njeh limite, rikthehet edhe te kombëtarja suedeze

Prishtinë | 15 Mar 2023 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Zlatan Ibrahimovic kthehet në kombëtare. Pas deklaratave të ditëve të kaluara, së fundmi trajneri i Suedisë Janne Anderson zyrtarizoi vendimin duke e grumbulluar sulmuesin e Milanit për sfidat e ardhshme kundër Belgjikës dhe Azerbaixhanit, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.

Ibra që mbush 42 vjeç tetorin që vjen, është kthyer në fushë me kuqezinjtë prej pak javësh, pas rikuperimit të gjatë që ndoqi ndërhyrjen kirurgjikale që bëri në gju verën e kaluar. Paraqitja e tij e fundit me fanellën e Suedisë daton në 29 marsin e 2022, në një ndeshje me Poloninë.

Ibrahimovic mund të krenohet me 121 prezenca me Suedinë, gjatë të cilave ka shënuar 62 gola. Në ditët e kaluara trajneri i skuadrës Andersson e kishte paralajmëruar këtë vendim duke deklaruar, “Për personalitetin e tij, për impenjimin dhe rolin prej lideri, mund të na shërbejë shumë”.

Andersson shikon për Ibrahimovic një rol të ngjashëm me atë që ka mbuluar në vitet e fundit te Milan, ku sigurisht nuk është titullar i
padiskutueshëm, por udhëheq skuadrën në dhomat e zhveshjes dhe është burim frymëzimi për lojtarët më të rinj

Të ngjashme