Idrizi: Pavarësia s’është dhuratë nga askush por vuajtje e gjak i shqiptarëve ndër shekuj

Vushtrri | 17 Shk 2023 | 14:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur akademi solemne, me ç’rast u çmua lufta e UÇK-së dhe sakrifica e gjaku i shqiptarëve për të ardhur deri në këtë ditë, raporton Ekonomia Online.

Aty u përmendën edhe ish-krerët e shtetit, të cilët po përballen nga Gjykata Speciale për krimet e supozuara gjatë luftës.

Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se liria e pavarësia nuk janë dhuratë por sakrificë e gjithë shqiptarëve ndër shekuj.

“Sot e ka ditëlindjen Republika e Kosovës, zemra e shqiptarisë. Kjo Kosovë që u gjakos për të sjellë dritë e liri të gjithë shqiptarisë. Kjo ditë na mundësoi që të jemi së bashku e të festojmë së bashku. Nuk është ë rastësishme, nuk është dhuratë nga askush por është vuajtje e loti gjaku dhe sakrifica e gjithë shqiptarëve ndër shekuj”.

“Kjo ditë është gjaku dhe vuajtja e rinisë studentore, është burgu i Adem Demaqit, është vuajta e minatorëve, është lëvizja studentorë e përgjakur, kjo ditë është lëvizja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vepra sublime e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Kjo ditë është dita e ShBA-ve dhe NATO-s për të ndalë gjenocidin në Kosovë. Kjo ditë është gjaku i njomë i derdhur për liri e pavarësi, amanet nga të parët tanë”, tha Idrizi.

E përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Shaip Hyseni, përmendi mungesën e ish-krerëve të shtetit, të cilët po gjykohen në Hagë.

“Përpjekjet e popullit tonë për liri ishin të gjata dhe të mundimshme, dhe kurorëzuan pavarësinë më luftën e Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare ta Kosovës. Edhe sot festojmë pa drejtuesit e UÇK të cilët po mbahen padrejtësisht në gjykatën e Hagës. Gjeneratë pas gjenerate do t’i kujtojmë dëshmorët e kombit”, tha ai.

Në Akademinë Solemne për Ditën e Pavarësisë të organizuar nga komuna e Vushtrrisë, Shkurte Fejza përformon këngët e saja me motive atëdhetare “Mora fjalë” dhe “Xhamadani “.

Të ngjashme