Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionisteve tjerë Shëndetësorë të Kosovës, ka mbajtur një konferencë për medie rreth pagesës së ndërrimeve të natës, pagesën e orëve shtesë, pagesën e vikendeve dhe festave si dhe rrezikshmërisë, raporton Ekonomia Online.
Fitim Havolli, tha se Sindikata e Infermierëve e ka dorëzuar kërkesën në ShSKUK para 2 jave, kërkesë kjo e cila ende nuk ka marrë përgjigje.
Ata kërkojnë që ndërrimi i natës, pagesa e rrezikshmërisë dhe orët gjatë festave të paguhen 100 për qind, ku nga 18 euro të bëhet në 36 euro.
Havolli ka kërcënuar se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, masat tjera do të jenë rigoroze nga kjo sindikatë.
“Ne si sindikatë ju bëjmë thirrje jo për t’i frikësuar as për t’i kërcënuar, por këto institucione nuk kanë parë ende në Kosovë organizim sindikal. Këta mund ta marrin shembull sindikatën në Amerikë dhe tani do ta shohin organizimin gjigant të këtij komuniteti”.
“Tani më nuk do të kemi kompromis me askënd për të drejtat tona legjitime por duhet t’i trajtojnë sipas ligjeve që na lejojnë. Nuk ka më këso trillimesh e mashtrimesh e as parti politike që do në mashtrojë neve”, tha Havolli.