Infermierët në Kosovë ndihen të pavlerësuar, jo vetëm në kohë pandemie

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i sindikatës së infermierëve, Fitim Havolli, ka thënë se komuniteti që ai përfaqëson është nënvlerësuar vazhdimisht nga autoritetet e shtetit, jo vetëm në kohën e përballjes me pandeminë e koronavirusit.

Në Express Intervistën në KTV, Havolli ka thënë se ndihen të mashtruar nga Qeveria e Kosovës “pasi kemi pas premtim se në këtë kohë të përballjes me COVID-19 do të marrim 300 euro shtesa në pagë, por që ende s’i kemi marrë”.

Ai ka thënë se fillimisht për mosndarjen e këtyre mjeteve për infermierët ishin fajësuar listat, por ka shtuar se e rëndësishme është vetëm se ata nuk kanë marrë mjetet e premtuara.

“Infermierët nuk ekzistojnë vetëm në këtë pandemi. Krejt pas luftës është trajtuar keq dhe gabimisht nga kjo shoqëri. Kjo pandemi ka vënë në pah punën dhe mostrajtimin e komunitetit si duhet. Ja po na vjen një pandemi e tillë dhe të gjithë sektorët tjerë po munden të punojnë në alternativa, por stafi mjekësor shëndetësor nuk ka mundësi tjera për të qenë para pacientëve. Shërbimet tona s’janë online”, ka deklaruar Havolli.

“Duke e pa rëndësinë e infermierit, nganjëherë them se kemi fajin edhe vet sepse përfaqësimi jonë është bërë nga komunitetet tjera dhe është lënë anash e s’është përfaqësuar aq sa duhet aty ku rregullohet statusi social, ekonomik e profesional. Vërtetë është pa si dytësor roli jonë, por infermieri është i pari”, ka thënë ai.

Duke folur për rrezikun me të cilin janë përballë infermierët në kohën e pandemisë që nga muaji mars, Havolli ka treguar se janë më shumë se 1200 profesionistë shëndetësorë të prekur me COVID-19 deri tash në Kosovë. Sipas tij, virusi ka marrë jetën edhe të familjarëve të infermierëve që kishin bartur virusin nëpër shtëpitë e tyre.

Havolli ka treguar po ashtu se së fundmi ka rënë intensiteti i punës në klinikat ku trajtohen rastet me COVID-19.

Sipas tij, komuniteti i infermierëve në Kosovë është duke ikur vazhdimisht nga Kosova në kërkim të kushteve më të mira të punës jashtë shtetit. Ai ka thënë se nëse vazhdon ky intensitet dhe s’merren masa nga shteti, një pandemi tjetër Kosovën do ta vinte në situatë tejet më të rëndë.

Shoqata që Havolli përfaqëson ka paralajmëruar se do të mbajë protestë për përmbushjen e kërkesave të tij.

Një infermier aktualisht, sipas Havollit, paguhet deri në 450 euro me kujdestari dhe me shujta të përfshira.

Të ngjashme