INPO: Ahmeti shkelë ligjin me mosformimin e Këshillit për Siguri në Bashkësi

Prishtinë | 08 Shk 2018 | 15:28 | Nga

INPO shpreh shqetësimin për shkak të mos formimit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Janë bërë më shumë se një muaj që kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti e ka dhënë betimin e tij, porse ky trup nuk është konstituuar.
Kjo është detyrë dhe përgjegjësi e kryetarit. Formimi i këshillit komunal për siguri në bashkësi është në funksion të lehtësimit të jetës s֝ë qytetarëve, ngase merret me adresimin e çështjeve të sigurisë.

Sipas Udhëzimit Administrativ Nr.27/2012 MPB – 03/2012 MAPL për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, 30 ditë pas fillimit të mandatit, të kryetarit të komunës, nëpërmjet një njoftimi publik ai obligohet t`i ftoj komunitetet përkatëse për të bërë propozimet e anëtarëve të tyre në KKSB. Më pas bëhet lista e cila i dërgohet për miratim Kuvendit Komunal.
Megjithëkëtë kryetari Ahmeti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të formuar këtë Këshill, i cili do të kontribuonte në sigurinë e qytetarëve të komunës.

Nga ana tjetër, vërehet mosgatishmëria e koordinimit të institucioneve për të siguruar: Rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve lidhur me natyrën e krimeve, parregullsitë dhe sjelljet e dhunshme në komunitetin lokal; Identifikimin e brengave lidhur me sigurinë publike; Rekomandimin e planeve të veprimit dhe adresimi i brengave të qytetarëve te autoritetet komunale; Ndërtimin e besimit në mes të policisë dhe qytetarëve nëpërmjet ndërtimit të partneritetit dhe iniciativave të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të sigurisë në çdo bashkësi; Përfaqësimin e pikëpamjeve dhe shqetësimeve të të gjithë qytetarëve për çështjet e krimit dhe çështjet e tjera që lidhen me kualitetin e jetës.

Mosfunksionalizimi i KKSB-së, tregon neglizhencën e qeverisjes aktuale kundrejt politikave efektive në interes të sigurisë së qytetarëve.

Andaj, INPO i bën thirrje Kryetarit të Komunës që ta adresojë menjëherë formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, si parakusht minimal për mbikëqyrjen e aspektit të sigurisë dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë publike.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme