Organizata Jo-Qeveritare INPO,përmes një tryeze ka publikuar sot analizën e hulumtimit “Përfshirja e të rinjve në zhvillimin e arsimit profesional”.
Kjo analizë ka për qëllim evidentimin e gjendjes së shkollave të mesme profesionale, evidentimin e paragjykimeve negative dhe stereotipave që ekzistojnë rreth shkollave të mesme profesionale dhe rekomandimin e metodave të duhura për zhvillimin e arsimit profesional në Republikën e Kosovës.
Hulumtimi nxjerr në pah paragjykimet për shkollat e mesme profesionale në vendin tonë,(mos)informimin e të rinjve rreth shkollave të mesme profesionale dhe perceptimin e të rinjve rreth cilësisë së procesit mësimor, si dhe faktorët të cilët ndikojnë në përzgjedhjen e drejtimit të arsimit të mesëm të lartë.
Ndër të gjeturat kryesore të cilat dëmtojnë imazhin e shkollave të mesme profesionale janë: ndikimi që kanë mësimdhënësit tek nxënësit në krijimin e opinionit se shkollat e mesme profesionale nuk gëzojnë prestigjin e duhur për vazhdim të shkollimit, pasi konsiderohen si shkolla të dorës së dytë; mungesa e programeve vetëdijësuese të institucioneve lokale për kushtet dhe mundësitë që ofrojnë shkollat e mesme profesionale; mungesa e literaturës përkatëse ose në raste të veçanta mospërditësimi i literaturës ekzistuese me zhvillimet e fundit globale; mungesa e punës praktike në kabinete dhe laboratorëve në shkollat e mesme profesionale; mungesa e mbajtjes së praktikës profesionale në kompani private, etj..
Motivet kryesore për regjistrim në shkolla të mesme profesionale do të ishin drejtimet e mira arsimore që përkojnë sa më shumë me tregun e punës, kushte më të mira për zhvillim të procesit mësimor sikurse laboratorët, kabinetet dhe mundësia për punë praktike, e ndër të tjera arsyet janë mundësitë për qasje në tregun e punës dhe mësimdhënës më cilësorë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin drejtorë të drejtorive komunale të Arsimit nga Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, drejtorë të shkollave të mesme profesionale, zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Agjensioni për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur,përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, si dhe përfaqësues të nxënësve.
AgimBytyçi, zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke vlerësuar hulumtimin e INPO-së u shpreh se rezultatet dhe të gjeturat e hulumtimit përkojnë me realitetin e gjendjes së arsimit të mesëm profesional dhe sfidat me të cilat përballet ky sistem arsimor.
Tutje, ai shtoi se arsimi profesional pas lufte ishte trashëgimi e sistemit të kaluar duke treguar mbi punën që po bën kjo ministri në zhvillimin e arsimit profesional dhe tregoi që ndër problemet më të theksuara institucionale është mungesa e bashkëpunimit ndërministror në politikat e edukimit dhe të punësimit sipas kompetencës profesionale.Në anën tjetër sfidë sipas tij mbetet hartimi i kurrikulës së arsimit të lartë, proces që e vlerësoi si të dështuar deri më tani.
Mendohije Krelani nga Agjensioni për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur vlerësoi se shkollat që ka nën përgjegjësi ky agjension kanë arritur të kenë sukses në zhvillimin e procesit mësimor dhe interesimi është i madh veçanërisht për Qendrat e Kompetencës. Ajo shtoi se investimi në arsim profesional është investim në ekonomi dhe në të ardhmen e një vendi.
Në vazhdën e diskutimeve problematikë të veçantë për zhvillimin e arsimit profesional pjesëmarrësit vlerësuan të jetë formula e ndarjes së buxhetit për shkollat e mesme profesionale, autonomia e shkollave në krijimin e drejtimeve të duhura dhe menaxhimin e buxhetit, problematikat në raport me aspektin privat për mbajtjen e praktikave profesionale.
Ndër rekomandimet që kanë dalë nga Analiza, për Komunat janë: të vendosin prioritetet e tyre dhe cilësinë mos ta shohin vetëm përmes përmirësimit të kushteve fizike por dhe zhvillimeve tjera organizative; të jenë më aktivë në fushatat vetëdijësuese për mundësitë në punësim pas përfundimit të arsimit të mesëm profesional; të punohet në zhvillimin e raporteve në mes DKA-ve dhe shkollave të mesme profesionale në funksion të zhvillimit të politikave për ngritje të cilësisë; të arrijnë marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë private dhe të monitorohet praktika profesionale që zhvillohet në këto kompani; të krijohet kushte në drejtim të zhvillimit të literaturës përkatëse etj.
Rekomandimet e INPO-së për Ministrinë janë: që të shtoj bashkëpunimin me DKA-të në harmonizim të veprimeve në funksion të përmbushjes së nevojave të shkollave; të angazhohet në garantimin e implementimit të akteve ligjore dhe nënligjore lidhur me arsimin parauniversitar e veçanërisht atyre që kanë lidhje me shkollat e mesme profesionale; të angazhohet në përpilimin e testit të maturës për shkollat e mesme profesionale duke iu përshtatur planprogrameve mësimore të shkollave; të krijohet një kornizë ligjore që inkurajon bizneset përmes lehtësirave financiare të krijojnë hapësirë për nxënësit e shkollave të mesme profesionale; të nxjerr një udhëzim administrativ me të cilin e rregullon në mënyrë të detajuar planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit nga shkolla etj.
Projekti mbi të cilin u prezantua kjo analizë zhvillohet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi (E4E), i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.