INPO: Shkelje ligjore në rekrutimin e punëtorëve të ndërmarrjes “Ambienti”

Prishtinë | 25 Jan 2017 | 16:41 | Nga

Organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO) ka përcjellë me vëmendje të gjitha procedurat dhe fazat e rekrutimit të stafit menaxhues dhe stafit teknik të punës në ndërmarrjen publike të sapo themeluar “Ambienti” në Ferizaj.

Kjo organizatë vlerëson se papasur shkelje ligjore gjatë procesit të rekrutimit të punëtorëve të kësaj ndërmarrje dhe kërkon të rivlerësohet rekrutimi i tyre.

Sipas INPO-së shkeljet ligjore ishin:

Gjetjet tregojnë se përpilimi i testit me shkrim për të gjitha pozitat ka qenë joprofesional. Është kërkuar prej kandidatëve që  të shkruajnë ese për stinën e dimrit, 28 Nëntorin ose pavarësinë e Kosovës si dhe pyetje të tjera jo relevante për pozitat në të cilat kanë aplikuar kandidatët. Kryeshef Ekzekutiv i ndërmarrjes është përzgjedhur Izet Rushiti, aktualisht anëtarë i Kuvendit të Komunës në Ferizaj si dhe nënkryetar i degës së Aleancës  për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj, e cila bashkëqeverisë me LDK-në, në Ferizaj. Ai gjithashtu është mësimdhënës në Shkollën e mesme teknike “Pjetër Bogdani”. Është zgjedhur në këtë detyrë, ndonëse ka pasur pikë të barabarta me kandidatin tjetër.

Kandidati Vullnet Syla,  cili ka konkurruar për pozitwn e Auditorit dhe atë të Zyrtarit Kryesor Financiar, ndonëse është renditur i pari në të dy pozita, ka pwrzgjedhurtw mbetet Auditor. Ndërsa, Komisioni përzgjedhës, për pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar, ka përzgjedhë ZenelAvdylin, i cili është ranguar i shtati në listë në bazë të pikëve të grumbulluara.

Në bazë të Ligjit Nr.03/L-019 për Aftësim, Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Ligji Nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucionet janë të obliguara që me kushte të përshtatshme të punësimit të punës të punësojnë persona me aftësi të kufizuar dhe akomodim të arsyeshëm në punësim.  Komisioni i përzgjedhës, ka bërë shkelje duke mos i dhënë mundësinë e përfitimit të pozitës së Auditorit, NaimRexhajt, i cili është renditur i dyti në bazë të vlerësimit të testit dhe ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për këtë pozitë.

Shkelje tjetër serioze në këtë proces INPO ka evidentuar edhe në procesin e shqyrtimit të ankesave nga kandidatët e pakënaqur me përzgjedhjen.  Këtë kompetencë e ka ushtruar i njëjti komision i cili ka bërë edhe vlerësimin dhe përzgjedhjen e konkurrentëve. Në këtë mënyrë është cenuar parimi i vlerësimit të drejtë dhe të paanshëm në procedurën e ankimimit.

Nisur nga këto parregullsi, INPO fton të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshi komisionin e aksionarëve që të ndërmarrin veprime adekuate për të rivlerësuar procesin e rekrutimit të stafit menaxhues dhe atij teknik, me qëllim të garantimit të kualitetit profesional në ofrimin e shërbimeve për ndërmarrjen dhe për qytetarët e Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme