Inspektorati i Punës hap konkurs për 39 inspektorë të rinj, Dobruna: Synojmë vende pune më të sigurta

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 08:03 | Nga Artiona Çitaku

Zëvendësministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Agon Dobruna, ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Punës më 23 qershor ka hapur konkursin për pranimin e 39 inspektorëve të rinj, me qëllim të rritjes së mbikëqyrjes së sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe të marrëdhënieve të punës.

Dobruna tha se ministria është e përkushtuar që përmes Inspektoratit Qendror të Punës të përmirësojë kushtet e punës dhe të sigurojë vende pune më të sigurta dhe më dinjitoze për qytetarët.

“Ne, si Ministri e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës që jemi të dedikuar që përmes agjencisë sonë ekzekutive, në këtë rast Inspektoratit Qendror të Punës, të përmirësojmë dhe të sigurojmë vende të punës sa më të sigurta, sa më dinjitoze dhe sa më të përshtatshme për qytetarët tanë. Në kuadër të kësaj, Inspektorati i Punës tashmë ka hapur konkursin edhe për 39 inspektorë të rinj të punës, të cilët do të monitorojnë sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe marrëdhëniet e punës, siç e ka në domenin e tij Inspektorati Qendror i Punës”, tha ai.

Sipas tij, përveç fushatave vetëdijësuese, është parë e nevojshme edhe rritja e numrit të inspektorëve, ndërsa kjo pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Po, ne përveç fushatave vetëdijësuese, kemi parë që është e nevojshme rritja e numrit të inspektorëve. Kemi rritur ose më saktë, po tentojmë të rrisim me 39 inspektorë numrin total të tyre. Do të vazhdojmë t’i rrisim përsëri, për arsye se nevojat gjithmonë ekzistojnë. Kushtet po shkojnë drejt përmirësimit, mirëpo ka ende nevoja. Duke parë edhe industrinë e ndërtimit, sektorët me rrezik të lartë, shihet qartë që nevojat janë në rritje. Ne po bëjmë të pamundurën që të japim maksimumin tonë si politikëbërës, përmes agjencive tona ekzekutive – në këtë rast Inspektoratit Qendror të Punës – që të sigurojmë vende sa më të sigurta dhe sa më dinjitoze. Duam që punëtorët të mos kenë presion, të jenë të sigurt dhe të mos mbetet diçka pa u bërë nga ana jonë. Kjo vlen përgjithësisht si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik, shërbimin civil e të gjithë me radhë”, deklaroi Dobruna.

Ai theksoi se qytetarët mund t’i paraqesin ankesat e tyre në Inspektoratin e Punës, në ministri apo në departamentet përkatëse, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të raportuesve.

“Po, qytetarët kanë mundësi të ankohen drejtpërdrejt në Inspektoratin e Punës, në Ministrinë tonë, apo në cilindo departament tonin. Edhe nëse ankesa nuk është për departamentin përkatës, ajo përcillet aty ku duhet. Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme, është se në shumicën e rasteve kërkohet ruajtja e konfidencialitetit, për shkak se raportuesit mund të kenë pasoja. Ne kujdesemi me vëmendje që të ruhet ky konfidencialitet, por njëkohësisht të jemi edhe të përditësuar me kërkesat e tyre dhe të intervenojmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në të gjitha rastet, Inspektorati vepron. Është rritur dukshëm numri i kontrolleve gjatë viteve të fundit dhe kemi pasur një rënie të vdekjeve në vendin e punës. Ka shumë raste të vdekjeve në vendin e punës që i atribuohen gabimisht Inspektoratit të Punës, mirëpo nuk duhet të hyjmë në këtë diskutim sepse secila vdekje është humbja e një jete për familjen e tij, vlen sa gjithë bota. Kështu që, ne punojmë dhe mundohemi të sigurojmë një ambient sa më të sigurt, me kushte pune sa më të mira dhe sa më dinjitoze për qytetarët tanë të Republikës”, u shpreh Dobruna.

Të ngjashme