Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Vushtrri, u gjetën parregullësi

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Vushtrri, pas konstatimit të parregullsive lidhur me masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit, gjatë inspektimit në terren, inspektorët kanë evidentuar mangësi në zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e një ambienti të sigurt për punëtorët.

Për shkak të këtyre shkeljeve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këtë objekt.

Sipas vendimit, punimet do të mund të rifillojnë vetëm pasi të eliminohen të gjitha mangësitë e evidentuara dhe të krijohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e sigurt të punës.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

Institucioni ka apeluar te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve.

Të ngjashme