Inter dhe Milan kanë konfirmuar se do të shembin “San Siron” për të ndërtuar afër tij stadiumin e ri.
Javën e kaluar u raportua se Milani dhe Interi janë pajtuar për stadiumin e ri që do të kushtojë 700 milionë euro dhe do të jetë gati në vitin 2020.
Tashëm është fakt i kryer, dy kushërinjtë e Milanos, Inter dhe Milan do të ndërtojnë stadiumin e tyre të ri, që do të jetë ngjit me “San Siron”, i cili do të shembet, sapo të ndërtohet arena e re.
Këto informacione i konfirmoi presidenti i Milanit, Paolo Scaroni në një prononcim për “Ansa”.
“Ne do të bëjmë një ‘San Siro’ të ri, ngjit me të vjetrin, në të njëjtën zonë. Stadiumi i vjetër do të shembet dhe do të ndërtohen ndërtesa të reja. Nuk mund të luajmë dy ndeshje në javë në një kantier ku po kryhen restaurime”.
I pyetur nëse kishte marrëveshje mes Inter dhe Milani, foli edhe përfaqësuesi i zikaltërve Alessandro Antonello, i cili tha: “Kemi arritur marrëveshje me Milanin. Absolutisht po!”
Në lidhje me ndërtimin e stadiumit të ri foli edhe kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, i cili theksoi se ndërtimi do të kërkojë punë dhe kohë, por është i sigurt që do të ndërtojnë një ndër stadiumit më funksionalë në botë.
Edhe Sala ishte i bindur se në vitin 2026 “San Siro” i ri do të mirëpresë Lojërat Olimpike të këtij viti.
Pra, tashmë është zyrtare – shtëpia e Interit dhe Milanit për shumë vite, ku kanë fituar shumë dhe kanë festuar së bashku me tifozët, s’do të ekzistojë brenda pak viteve.
“San Siro” ka kapacitetin 80,018 ulëse, ndërsa stadiumi i ri ende nuk dihet sa do ta ketë kapacitetin.