Skuadra e Interit ka shprehur interesim për shërbimet e mbrojtësit të krahut, Matteo Darmian, që është pjesë e Parmas.
Sajti italian “Calciomercato” ka njoftuar të premten se Interi është i gatshëm t’i paguajë Parmas 15 milionë euro për transferimin e Darmianit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Darmian pëlqehet shumë nga trajneri i Interit, Antonio Conte, që e sheh si përforcim të duhur për repartin e mbrojtjes, transmeton Koha Ditore.
Darmian para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Parmas nga Manchester Unitedi për dhjetë milionë euro dhe ka kontratë me ekipin italian deri në vitin 2023.
Ai këtë edicion ka regjistruar gjashtë paraqitje në Serie A, duke dhënë një asistim. 29-vjeçari ka edhe 36 ndeshje me Italinë.