IPK rekomandon suspendimin e tre policëve për neglizhencë në vrasjen në Gjakovë

Valbona Marku-Nrecaj, e cila u vra nga bashkëshorti i saj
Prishtinë | 05 Sht 2018 | 21:40 | Nga

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), sipas detyrës zyrtare më 08.08.2018, kishte filluar hetimin preliminar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë” e cili ka ndodhur në fshatin Brekoc – Gjakovë.

IPK-ja thotë se hetuesit e saj, në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të ndryshme hetimore në konsultim me prokurorin kompetent për të vlerësuar reagimet policore dhe rrethanat e rastit.

“Pas mbledhjes së informacioneve nga IPK-ja dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në një njoftim shtypi.

“Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës deri në përfundim të këtij hetimi penal”.

IPK-ja thotë se në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do ti vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mos veprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme