IPK suspendon një polic, voziti në gjendje të dehur dhe rrezikoi jetën e qytetarëve

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se një zyrtar policor është suspenduar, pasi i njëjti gjatë së hënës në orët e mbrëmjes ka vozitur në gjendje të dehur dhe ka rrezikuar dy qytetarë, raporton Ekonomia Online.

Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur në Gjilan, dhe se i njëjti me gradë është kapiten.

“Policia e Kosovës është njoftuar nga qytetarët dje në orët e mbrëmjes për një vozitje të rrezikshme në Gjilan duke rrezikuar jetën e dy qytetarëve. Pas marrjes të informacioneve është identifikuar i dyshuari i cili ka rezultuar të jetë zyrtar policor (me gradën e kapitenit). Bazuar në autorizimet ligjore Policia e Kosovës ka njoftuar hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës. Hetuesit e IPK-së kanë identifikuar dhe intervistuar tre dëshmitarë lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.

“Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është bërë  testi i alkoolit dhe ka rezultuar së i njëjti ka qenë duke drejtuar veturën e tij private (jashtë detyrës zyrtare) nën ndikimin e alkoolit (2.08 promila). Në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rast me dyshimin për  veprën penale “Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm”. Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

Të ngjashme