IQMT vazhdon verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të konsumatorëve, identifikohen parregullsi

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Komisionin Ad Hoc të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka vijuar aksionin për verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të konsumatorëve.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë identifikuar disa raste të devijimeve në orë dhe datë në njehsorë elektrikë.

“Gjatë këtij aksioni, janë identifikuar raste të devijimeve në orë dhe datë në disa njehsorë elektrikë”, thuhet në komunikatë.

Njehsorët ku janë konstatuar parregullsi janë tërhequr dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Ndërkohë, për njehsorët me afat të skaduar të vlefshmërisë janë iniciuar procedura ndëshkuese ndaj operatorit KEDS.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë iniciuar dy procedura të gjobitjes ndaj operatorit KEDS”, theksohet në njoftim.

Aksioni i sotëm është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, ndërsa kontrollet pritet të shtrihen në të gjithë territorin e Kosovës.

“MINTI fton të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme lidhur me njehsorët elektrikë”, thuhet më tej në njoftim.

Qytetarët mund të raportojnë përmes numrit +383 (0) 46 311-000 (Viber) ose në adresën elektronike [email protected].

Të ngjashme