Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Fjalimi i Bashës pas humbjes si ‘shytan’, prita dorëheqjen e tij

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 21:46 | Nga Ekonomia Online

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë që ka pritur që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në fjalimin e tij pas humbjes në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të japë dorëheqje.

“Këto zgjedhje na dhanë një fitues të qartë – pa dyshim Edi Ramën, e që në Shqipëri është hera e parë që arrihet të fitohet mandati i tretë dhe një humbës po aq të qartë, që është Lulzim Basha. Edhe humbësi edhe fituesi janë shumë të qartë, për çdo njeri që ka sy me pa dhe vesh me dëgju”.

“Ka interpretime të ndryshme; dikush thotë që PD-ja ka pasë rritje dhe është e vërtetë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, që unë e marr si një mesazh që shqiptarët duhet të kenë një opozitë aktive në parlament, por nga ana tjetër mund të them qartë që ai [Basha] nuk ka pasë detyrë për të shtuar disa numra në parlament, por detyra e tij politike si parti opozitare për ndryshim, këtë detyrë nuk e arriti politikisht”.

“Duke qenë se fitorja është e qartë dhe humbësi poashtu, mendoj që edhe analizat duhet të bëhen me këtë qartësi. Fjalimi, ishte një fjalim që nuk e prisja nga Lulzim Basha – as femër as mashkull, në gjuhën popullore ‘shytan’ i themi ne”.

Lauka në Rubikon në Klan Kosova, tha që në anën tjetër kryeministri Edi Rama ka ditur si t’i kthejë disavantazhet në favor të tij.

“Unë prisja që në daljen e parë publike të Bashës, ky duhet të nxirrte përgjegjësinë vet dhe ishte vendi për të dhënë dorëheqjen nga kryetari i PD-së.Ai është përgjegjësi kryesor i dështimit – partia politike lufton për pushtet, aq më tepër që ishte 8 vjet në pushtet; në çdo vend për kaq vjet në pushtet konsumohesh”.

“Plus kësaj, Rama jo se i mbajti premtimet pasi ka shumë premtime që s’i ka mbajt – unë kam qenë i hapur në mbështetje të opozitës, të aleancës së djathtë dhe kam bërë postime publike dhe kam menduar që duhet të vijë ndryshimi, por avantazhet që i kishte Basha siç ishte konsumimi i pushtetit, mosmbajtja e premtimeve, unë do të mendoja që këto avantazhe do t’i siguronin votat për të ardhë në pushtet. Kishte edhe Rama edhe avantazhet e veta, kishte edhe disavantazhe por që i ktheu në avantazh”.

“Avantazhi i parë që e ka krijuar Rama me ndihmën e Bashës, është shteti plotësisht nën kontrollin e tij. Shteti u vu në funksion të pushtetit të PS-së, në këtë rast dhe raporti paraprak e konfirmon këtë thotë që u përdorën burime të shtetit në funksion të fushatës”.

Të ngjashme