Ish-drejtori i Policisë: Sulmet në veri u bënë nga individë të përfshirë në krim e kontrabandë

Prishtinë | 15 Pri 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Më granatë dore dhe me armë AK 47 janë sulmuar Policia e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Ky është edhe sulmi i katërt në tri ditët e fundit që është bërë në atë pjesë ndaj Policisë së Kosovës.

Lidhur me këto sulme dhe situatën atje, për FrontOnline ka folur ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Këto katër sulme, Qalaj i ndërlidh me individë të cilët janë të përfshirë në kontrabandë.

Thotë se këta të fundit kanë marrë guxim nga dy operacione që janë realizuar në veri nga Policia e Kosovës.

“Unë i shoh këto sulme të individëve të cilët janë të përfshirë në kontrabandë dhe krim të organizuar mirëpo këto sulme këta individë kanë marr guxim nga operacionet që kanë qenë më herët nga Policia e Kosovës, njëra që kishte të bënte me reciprocitetin e targave dhe e dyta operacioni në veri për zbatimin e urdhëresës nga Gjykata për kontrabandë”, ka deklaruar Qalaj, për FrontOnline.

Sipas tij, rasti i dytë këtyre individëve iu ka dhënë edhe më shumë guxim, pasi gjatë realizimit të tij ka pasur edhe gjuajtje me armë.

“Posaçërisht operacioni i dytë që ka qenë për zbatimin e urdhëresës së Gjykatës për kontrabandë , në atë pjesë ku janë kontrollu disa barnatore me ç’rast ka pas të shtëna me armë dhe gjuajte me topa dore ku edhe janë lëndu disa policë dhe krejt këto iu kanë dhënë zemër individëve dhe grupeve kriminale që veprojnë në atë pjesë”, është shprehur ish-drejtori Qalaj, për FrontOnline.

Ndërsa, tregon se cila mund të jetë arsyeja se përse janë sulmuar Policia e Kosovës.

“Unë më shumë i shoh si përpjekje për hapjen e atyre rrugëve të cilat Policia me të drejtë i ka mbyllë, nga të cilat rrugë ata furnizohen duke kontrabanduar material nga Serbia dhe më shumë i shoh si individë që janë pjesë e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, ka pohuar ai.

I, pyetur se a mund të ketë destablizim të situatës në vend, pas këtyre sulmeve  Qalaj është shprehur i bindur se kjo nuk do të ndodhë.

“Jo absolutisht nuk mendoj, por edhe po te ketë, institucionet tona, Policia e Kosovës ka kapacitete të menaxhojë, mirëpo prapë po e përsëris që kjo ka të bëjë me individë dhe grupe të organizuara që realisht nganjëherë përkrahen edhe nga politikat sidomos nga individë nga Lista Serbe të cilët janë po ashtu të kyçur në krim të organizuar”, ka deklaruar ish-drejtori.

Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë.

Sulmi parë ka ndodhur duke vendos iriqë metalik në rrugën nacionale, në kohë përafërsisht të ndjetë me sulmin e sotëm, sulmi i dytë ka ndodhë me gurë, i tretë ka ndodhë mbrëmë, ku është gjuajtur me armë zjarri dhe sot janë goditur dy vetura të Policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme