Ish-modelja akuzon presidentin e SHBA-së, Trump, për sulm seksual

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Një ish-modele ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se e ka sulmuar seksualisht gjatë turneut Grand Slam të tenisit “US Open” më tepër se dy dekada më parë.

Në një intervistë ekskluzive për “The Guardian”, Amy Dorris, pretendon se Trump e ka sulmuar atë në banjë në lozhën e tij VIP në turneun në New York më 5 shtator të vitit 1997.

Dorris, që ishte 24-vjeçare në atë kohë, e ka akuzuar Trumpin se e kishte puthur me gjuhë dhunshëm, e kishte sulmuar në gjithë trupin dhe e kishte mbajtur atë. Ajo ka thënë se nuk ishte në gjendje të ikte.

“Ai më puthi me gjuhë dhe unë po e shtyja. E më pas ai më shtrëngoi më fortë dhe më preku me duar në gjithë trupin. Isha në mbërthimin e tij dhe nuk po mund të ikja. Nuk e di se si të quhet kur e fut gjuhën tënde në fyt të dikujt tjetër. Por e largova gjuhën e tij me dhëmbët e mi. Po e shtyja atë dhe mendoj se ia lëndova edhe gjuhën”, ka thënë Norris.

Nëpërmjet avokatëve të tij, Trump ka mohuar kategorikisht se e ka ngacmuar, abuzuar apo është sjellë në ndonjë mënyrë të keqe në drejtim të Dorrisit.

Dorris, që jeton në Florida, i ka ofruar “Guardianit” dëshmi për të përkrahur deklarimin e saj për takimin me Trumpin, përfshirë biletën e saj në “US Open” dhe gjashtë foto ku shihet ajo me manjatin e patundshmërisë për disa ditë në New York. Trump ishte 51-vjeçar në atë kohë dhe u martua me bashkëshorten e tij të dytë, Marla Maples.

Dëshmia e saj është mbështetur nga disa persona të cilëve i kishte treguar për incidentin. Në këtë mes ishte një shoqe nga New Yorku dhe nëna e Dorrisit. Ato menjëherë e rikujtojnë incidentin, si dhe terapistët dhe shokët me të cilët kishte folur ajo me vite më pas. Kanë thënë se Dorris ka ndarë me to detajet e incidentit.

Dorris, tash 48-vjeçare dhe nënë e vajzave binjake, ka thënë se kishte menduar të fliste publikisht për incidentin në vitin 2016, kur disa gra bënë akuza të ngjashme ndaj atëbotë kandidatit Republikan për president. Por ajo vendosi të mos dilte publikisht, kryesisht pasi mendonte se mund ta dëmtonte familjen.

“Tash vajzat e mia do të mbushin 13 vjet dhe dua që ato ta dinë se asnjërin nuk bën ta lësh të bëjë ndonjë gjë që t’i nuk e do. Dua të jap një shembull të tillë. Dua që ato të shohin se nuk kam qëndruar e heshtur dhe kam ngritur zërin ndaj dikujt që ka bërë një gjë që ka qenë e papranueshme”, ka thënë Dorris.

Ajo ka treguar se ka kaluar disa ditë me Trumpin në shtator të vitit 1997, pasi kishte shkuar në New York për një fundjavë të gjatë nga i dashuri i saj i atëhershëm, Jason Binn.

Në atë kohë, Dorris po jetonte me shoqëri në Florida, dhe udhëtonte rregullisht në Miami për modelim dhe po ashtu herë pas here edhe për aktrim. Binn, themelues i disa revistave luksoze të modës dhe stilit të jetës, ishte shok i Trumpit.

Në vitin 1999, Binn, e kishte përshkruar Trumpin si shokun e tij më të mirë.

Më 5 shtator të vitit 1997, Dorris ka treguar se Binn e kishte marrë për t’u takuar me Trumpin në selinë e këtij të fundit në “Trump Tower” në Manhattan, para se të shkonin së bashku në Grand Slamin “US Open”.

“Ai erdhi fortë menjëherë. Ishte si ata personat e caktuar, njerëzit që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan, ndonëse isha aty me të dashurin tim”, tregon Dorris.

Çiftit i ishin bashkuar edhe shokë tjerë të Trumpit në lozhën private, që ka ballkonin me pamje nga fusha.

Sulmi Dorris pretendon se ka ndodhur kur ajo u ngrit për të shkuar në tualet, që ishte fshehur prapa një muri vetëm pak nga ku mysafirët e Trumpit po shikonin tenis.
“Kisha disa probleme me thjerrëza. E mbaj mend se shkova të pastroja thjerrëzat”, thotë ajo.

Kur ajo doli, pretendon, se Trump po e priste jashtë.
“Fillimisht mendova se dëshiron të hyjë në tualet, por nuk ishte ashtu, për fat të keq”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se Trump iu vërsul, ndonëse ajo i kishte thënë të largohet. Ajo pretendon se i kishte thënë Trumpit, “jo, të lutem ndal”, por se ai nuk lodhej.

“Nuk ka rëndësi kush je, sa herë që dikush të thotë jo atëherë është jo. Por kështu nuk funksionoi për mua. Kjo nuk mjaftoi”, rrëfen Dorris. “Isha në shok. Ndjehesha e dhunuar, qartë. Por ende nuk po mund të kapërdija atë që ndodhi dhe po tentoja të shkoja e të flisja me të gjithë e të kaloja kohë të mirë. Nuk e di, ndjeja presion të bëja këtë”.

Ajo nuk e mban në mend nëse i ka treguar gjitha detajet Binnit për sulmin e pretenduar, por thotë se i ka thënë atij që t’i thotë Trumpit ta lërë të qetë.

Ajo tregon se i kishte thënë Binnit: “Ai më u vërsul. Nuk mund të përballojë këtë. Duhet të bësh diçka pë kërtë”.

Binn nuk u përgjigj në kërkesën për një koment. Mirëpo, sipas avokatëve të Trumpit, Binn, u ka thënë se nuk e mban në mend që Dorris e ka njoftuar për një gjë të papërshtatshme që ka ndodhur me Trumpin apo se ajo është ndjerë jokomode me të.

Dorris ka treguar se menjëherë pas incidentit kishte telefonuar një shoqe që jetonte në qytet dhe ia kishte treguar ngjarjen.
“Unë po ndjehesha e sigurt se e kisha dikë në New York ku mund të shkoja, në rast se situata përkeqësohej”, thotë Dorris.

Ajo tregon se Trumpi nuk e ka sulmuar seriozisht atë sërish gjatë qëndrimit në New York, por se kishte vazhduar të ndjektë atë ndonëse ajo e kishte refuzuar.

Dorris së pari kishte ndarë dëshminë e saj për “Guardianin” në besë 15 muaj më parë, por nuk ishte e sigurt të dilte publikisht. Ajo vendosi të merrte gjërat hap pas hapi, pjesërisht pasi donte të ishte shembull për vajzat.
“Kur futesh në hapësirën e dikujt, nuk ka rëndësi nëse je përdhunuar, është sulm seksual dhe nuk është në rregull. Nuk e prek dikë nëse personi nuk dëshiron që ta bësh këtë. Unë nuk bëra asgjë për të inkurajuar që ai të më prekte”, ka deklaruar Dorris.

Ajo ndjehet e frustruar se shumë gra tjera që kanë akuzuar Trumpin, janë quajtur gënjeshtare.

“Jam e lodhur nga heshtja. Thjeshtë dua të nxjerrë këtë nga vetja. Dua që njerëzit të dinë se ky është njeriu, ky është presidenti ynë. Këto janë gjërat që bën ai dhe është e papranueshme”, ka thënë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme