Ismaili: Katër gra të hospitalizuara në Klinikën Gjinekologjike janë në pritje të rezultateve për Coronavirus

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Jakup Ismaili ka folur për trajtimin e shtatzënave dhe lehonave në kushtet e pandemisë së COVID-19.

Ismaili në RTV Dukagjini ka thënë se momentalisht në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike janë të hospitalizuara katër paciente.

“Dy janë lehona, njëra ka lindur dje dhe një tjetër sot. Një tjetër paciente është në javën e gjashtë të shtatzënisë dhe një tjetër që ka bërë abort. Testet për coronavirus janë marrë dje dhe sot po i presim rezultatet. Gjendja e të gjithave është stabile”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë thotë se pacientet në fjalë janë të vendosura në një repart të veçantë për shkak të mundësisë së infeksionit me COVID-19.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë janë të konfirmuara 919 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 671 janë shëruar ndërsa 29 kanë përfunduar me fatalitet.

Të ngjashme