Ismaili sqaron pse nuk e nënshkroi kontratën për blerjen e barnave

Prishtinë | 27 Tet 2017 | 18:57 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka njoftuar në mbledhjen e qeverisë se ka ndërprerë kontratën për blerjen e barnave. Ai tha se ka ftuar agjensionin e korrupsionit në mënyrë që sipas tij të ndal dukurinë për pasurimin e disa njerëzve përmes buxhetit të Kosovës.

Ai ka shtuar më tutje se kontrata për blerjen e barnave ka qenë në proces të nënshkrimit mirëpo pas disa informatave ka dal se këto barna që duhej të bliheshin nga ministria e shëndetësisë janë duke u ofruar me një çmim më të shtrenjtë se sa janë në të vërtetë.

Ndërsa Ministri i financave, Bedri Hamza tha se shëndetësisë do t`i ofrojnë disa fonde shtesë në mënyrë që të kryejnë obligimet që ka kjo ministri në mënyrë që të mos ketë probleme kur t`i ndahet buxheti për vitin e ardhshëm.

“Ne do të sigurojmë fonde shtesë për shëndetësisë në mënyrë që të kryhen disa obligime për këtë vit. Këto fonde një pjesë do të shkoj për barnat esenciale dhe një pjesë për shërimin jashtë vendit. Për këtë sektor buxhetin do ta propozojmë me rritje”.

Ismaili për ndalimin e nënshkrimit të kontratës ka njoftuar publikun edhe përmes një postimi në Facebook. Ai ka thënë se do të bëjë çmos që çmimet për ilaçet që i blen Ministria e Shëndetësisë të jenë referente me tregun dhe rajonin.

“Kontrata për furnizim me tabletat Imatini, për të cilën është raportuar sot në media, ende nuk është nënshkruar nga unë. Kam thënë disa herë se çmimet për ilaçet që blihen nga Ministria e Shëndetësisë duhet të jenë referente me tregun dhe rajonin. Do të bëj çmos që ky rregull të vihet në zbatim. Pas raportimit për ngritje të çmimeve, menjëherë kam ftuar disa institucione të ndryshme që të merren me këtë rast. Në ditët në vijim, do t’ju njoftojmë për detajet dhe vendimet që do të merren”, ka thënë ministri Ismaili.

Ai u ka bërë thirrje kompanive farmaceutike, që ofertojnë në tenderët publikë përmes së cilëve Ministria e Shëndetësisë i kontrakton ato për institucionet publike shëndetësore, që të jenë të përgjegjshme dhe të ofertojnë me vlera reale, e jo me çmime marramendëse që i pasurojnë ata e zbrazin buxhetin e e dedikuar për barna për të gjithë qytetarët.

“U bëj thirrje kompanive farmaceutike, që kontraktohen për furnizim me barna nga Ministria e Shëndetësisë, që të jenë të përgjegjshme dhe të ofertojnë me vlera reale, e jo me çmime marramendëse – me të cilat pasurohen ata dhe zbrazet buxheti i barnave për qytetarët. Të gjitha kontratat do të zbardhen, në mënyrë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet tona dhe në shërbimin shëndetësor. Ky është interes i gjithë qytetarëve, i personelit mjekësor dhe është obligim imi”, ka thënë ministri Ismaili, thuhet në komunikatën e MSH-së.

 

Të ngjashme