Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës së Kosovës, z. Uran Ismaili, ka takuar drejtorët e klinikave, instituteve dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ministri Ismali kërkoi nga drejtorët e klinikave që të shtohet kujdesi dhe komunikimi i mirë ndaj pacientëve.
“ Duhet të shtohet kujdesi dhe komunikimi më i mirë i stafit ndaj pacientëve, kërkoj nga ana juaj të merrni përgjegjësi dhe zotësi, kemi shprehë vullnet dhe gatishmëri, kërkoj më shumë zotësi nga ana juaj, jam aleat i juve, do të punoj me juve, kemi hapësirë, intelekt dhe pjekuri që të punojmë bashkërisht”.
Ministri, ceku disa prej investimeve që janë bërë dhe që janë në procedurë të realizimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë furnizimin me shtretër të ri , uniforma dhe çarçafë për klinikat e QKUK-së, pastaj renovimin e emergjencës së vjetër dhe furnizimi me paisje për këtë klinikë.
Sipas tij, po punohet që të krijohen barnatoret nëpër repartet dhe klinikat e QKUK-së, në mënyrë që furnizimi të jetë më i mirë dhe të ketë mbikëqyrje më të mirë. Poashtu, po punohet në çështjen e brendimit, ku përfshihen informatat e përgjithshme me shenjat orientuese për klinikat dhe shërbimet që ofrohen.
Ai dëgjoi kërkesat e drejtorëve të klinikave për nevojën që kanë klinikat për investime, duke premtuar se do të angazhohet maksimalisht që investimet të jetësohen.
Prof. dr. Naser Ramadani, kryesues i Bordit të SHSKUK-së, tha se Bordi Drejtues, në mbledhjet e rregullta ka filluar të ftojë për raportim edhe drejtorët e klinikave, me qëllim që për së afërmi të njoftohet me gjendjen, me theks të veçantë të punohet për reduktim të listës së pritjes së pacientëve. “Ne kemi kuadro të mjaftueshëm që mos ketë listë pritjes në asnjë klinikë, andaj po angazhohemi që të krijojmë kushtet e nevojshme në mënyrë që specialistët të kryejnë punën e tyre dhe bashkërisht të kryejmë obligimin etik- moral dhe ligjor”
Dr. Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, informoi drejtorët e klinikave se ambulancat specialistike të ortopedisë dhe fiziatrisë kanë filluar punën në objektin e ri me kushte dhe infrastrukturë moderne dhe shpejtë pritet të fillojnë punën edhe ambulancat tjera.
“ Jemi duke punuar të rrisim numrin e sallave të operacionet për kirurgji vaskulare, neurokirurgji dhe kirurgji plastike, projekti i renovimit të emergjencës së vjetër është duke u finalizuar, do ketë recepsion, do mbyllen portat do ketë recepsione dhe pritore për pacientët. Hapësira në klinikat interne dhe emergjencë do jetë bllok i mbyllur nuk do ketë qasje të palëve”
Ai tha se jemi vijë drejtë për përmirësim infrastrukturës, poashtu edhe transformimit të shërbimit farmaceutik në klinika, kjo do të mundësojë kushte më të mira për punë normale.
Drejtori Sejdiu, foli edhe për disiplinën në punë, duke theksuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme konform kompetencave që ka duke ri kërkuar nga drejtorët e klinikave që të respektohet orari i punës.