I akuzuari Murat Memaj, të mërkurën ka dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatën Themelore në Prizren në gjykimin ku po akuzohet për shmangien nga tarifat doganore për 27 vetura.
I akuzuari Murat Memaj deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Njësinë Hetuese të Doganës dhe pranë Prokurorisë.
Ai tha se firmën e tij e ka të regjistruar që 15 vite e që si veprimtari merret me veturat të cilat nuk janë të gatshme për rrugë, i shfrytëzon për shitjen e pjesëve të tyre, përkatësisht demolim të tyre.
Tutje Memaj deklaroi se këto automjete i merr nga qytetarët, pra kur atyre u është prishet motori apo kanë bërë aksidente dhe se këto vetura i blen me çmime të volitshme dhe i dërgon në pllacin e tij, ku i demolon dhe i shet për pjesë.
Ai shtoi se për automjetet e blera nga Kosova nuk ka nevojë për pagesë të doganave, ndërsa për automjetet që janë pa tabela apo të jashtme për ato i bën kërkesë Doganës së Kosovës për të ardhur që të njëjtat t’i zhdoganoj, mirëpo jo edhe akcizë për të cilat ka kërkuar Dogana e Kosovës.
Ai deklaroi se gjatë 15 viteve nuk ka ndodhur që nga Dogana e Kosovës për automjetet pa tabela si dhe ato me tabela të huaja të ketë paguar doganë, TVSH-në në doganë, akcizë dhe TVSH-në në akcizë.
Në fund tha se është e vërtetë që Policia e Kosovës ishte në pllacin e tij të cilët ishin në kërkim të dy veturave të vjedhura për të cilat kishin pasur dyshim se mund të jenë në pllacin e tij dhe se gjatë kësaj bastisje kishin hasur në 4-5 vetura të padoganuara në pritje për doganim.
Aty të njëjtat vetura i kanë fotografuar dhe pastaj e kanë thirrur doganën ku të nesërmen dogana ishte ardhur në pllac e që për këtë kontroll nuk i kishin dhënë asnjë procesverbal e as që kishte nënshkruar diku por vetëm e kishin thirrur në Prishtinë për të dhënë deklaratë.
Memaj shtoi se e ka ditur që për automjetet e zhdoganuara gjithmonë duhet që të paguaj doganë, por nuk e kishte ditur që duhet të paguaj edhe akcizë dhe se arsye pse kishte përmendur 27 vetura më herët në deklaratë është sepse i ka përmendur edhe veturat që janë gjetur te pllaci i V..
Në fund shtoi se është i gatshëm që doganës t’ia paguaj detyrimet doganore për sa i përket doganës me TVSH-në për vetura, ndërsa sa i përket akcizës dhe TVSH-së në akcizë nuk është i gatshëm sepse asnjëherë nuk e ka paguar dhe se nuk i takon.
Pas kësaj, shqyrtimi i sotshëm ka përfunduar dhe do të vazhdoj më 24 shkurt 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 19.06.2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Murat Memaj akuzohet se më 24.04.2017, si pronar i “Auto Bashkimi 2” në Prizren, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësoj shmangie nga pagesa e tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, doganës i paraqet dokument të rrejshëm lidhur me prejardhjen, vlerën, sasinë, cilësinë, llojin apo karakteristikat e mallit.
Sipas aktakuzës, me rastin e kontrollimit nga ana e Doganës së Kosovës, në firmën e lartcekur janë gjetur 27 automjete të demoluara-çmontuara dhe të pa zhdoganuara duke iu shmangur obligimeve doganore në emër të taksave doganore, akcizës dhe TVSH-së, raporton Betimi për Drejtësi.
Për këtë sipas aktakuzës, Buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej 59,952.12 euro.
Ai po akuzohet nga prokuroria se me këtë veprim ka kryer veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore nga neni 318 par 3 lidhur me paragrafin 1 të KP-së.