Mimoza Ahmetaj dhe Uran Ismaili përmenden si emrat më të mundshëm të për ta drejtuar Ministrinë e Integrimit Evropian (MIE).
Ish-ambasadorja e Kosovës në Bruksel, sipas burimeve nga PDK-ja ka më shumë gjasa që ta marrë nën udhëheqje këtë ministri, për faktin se tashmë asaj i ka përfunduar mandati si ambasadore dhe vjen nga një përvojë diplomatike. Përveç tjerash, emërimi i saj, do të ishte në linjë me premtimet e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për rritjen e numrit të femrave në Qeveri.
Të kontaktuar nga Radio Kosova, zyrtarët e PDK-së nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati, është përgjigjur shkurt duke thënë se nuk është diskutuar ende kjo çështje. Sipas tij, ka kohë për një gjë të tillë, ngase siç tha ai, Çollaku e ka dorëzuar dorëheqjen me shkrim në fillim të kësaj jave.
Ndërkohë, edhe këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, në një përgjigje me shkrim tha se ende nuk ka asgjë zyrtare sa i përket emërimit të ministrit të ri.
Përveç Ministrisë së Integrimit Evropian, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është pa ministër, që nga mesi i qershorit, kur Ferid Agani u lirua nga detyra e ministrit për shkak të ngritjes së një aktakuze ndaj tij për rastin “Stenta”, për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Kryeministri e ka autorizuar zëvendësministrin Ferat Shala të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit të Ministrisë së Mjedisit. Zyrtarët e Partisë së Drejtësisë kanë thënë se është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit që mos të ketë emërim të ri, duke ia ruajtur në këtë mënyrë Aganit, pozitën e ministrit.