Ulësen e dëshmitarit në rastin ku Fatmir Limaj akuzohet për krime lufte, e ka zënë Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, dhe zv/komandant i dytë i këtij shtabit, raporton KTV.
Ai po pyetet nga prokurorja Drita Hajdari lidhur me organizimin dhe punën e tij si zëdhënës. Pikë interesi e prokurorisë është kumtesa e kontestuar e Shtabit të Përgjithshëm, e datës 4 nëntor 1998, e publikuar në Kohën Ditore, ku përmenden emerat e dy viktimave, Ramiz Hoxha e Selman Binishi.
Mbrojtja e Limajt ka reaguar edhe një herë duke thënë se shkrimet në gazeta nuk mund të konsiderohen si prova.
“Çdo provë të cilës nuk i dihet origjina, është provë e papranueshme”, ka thënë avokati Tahir Rrecaj. Kryetari i trupit gjykues, ka lejuar që Krasniqi ta shoh kumtesën dhe të përgjigjet lidhur me këtë.
“Unë mundem me thënë që Shtabi i Përgjithshëm, nuk ka shkruar dokumente me emrin kumtesë, e aq më pak në emër të drejtorive politike. E sidomos në emër të Drejtorisë së Policisë, që nuk ka ekzistuar në atë kohë”, ka thënë Krasniqi.
Njëherësh kryetar i Këshillit të Kombëtar të Nismës për Kosovën, është një prej dy dëshmitarëve, të fundit për këtë proces, e pas tij pritet të dëgjohet edhe dëshmia e kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj.