“Java Ndërkombëtare e Kadetëve”, kadetë të shteteve të ndryshme njoftohen me sistemin e edukimit ushtarak që ka FSK-ja

Prishtinë | 12 Pri 2024 | 09:57 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar aktivitetin “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”, raporton Ekonomia Online.

Përveç kadetëve të FSK-së pjesë e këtij aktiviteti gjatë kësaj jave do jenë edhe kadetë nga Kanada, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia, me ç ‘rast do të shkëmbejnë eksperiencat dhe përvojat ushtarake të shteteve të tyre.

Major Mimoza Budeci, komandante e Qendrës për Studime Universitare- Akademia e Mbrojtjes, ka thënë se qëllimi i kësaj jave është që të njoftojë kadetët e shteteve të ndryshme të cilët janë pjesëmarrës në këtë ngjarje me sistemin e edukimit ushtarak që FSK-ja e ka.

“Java ndërkombëtare e kadetëve është shumë e rëndësishme për arsye se po e bën një farë lloj njohje të sistemit dhe zhvillimit të sistemit ushtarak të edukimit që FSK-ja ka ngritur me vite. Mundësia jonë që të ftojmë shtete si SHBA-ja, Turqia, Kanada, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe të jenë sot prezent këtu dhe prej neve të marrin eksperiencë dhe njohuri. Është një arritje e cila vlerësohet shumë dhe duhet të merret shembull edhe nga shtetet tjera. Ne mendojmë të vazhdojmë këtë traditë dhe në të ardhmen të kemi më shumë shtete prezente”, ka thënë ajo.

Kadeti Aaron Whitlock, nga SHBA tha se ndjehet i lumtur që qëndron në Kosovë në “Java Ndërkombëtare të Kadetëve” dhe që ndan përvojat me të tjerët.

“Jam këtu për javën ndërkombëtare të kadetëve në Kosovë, është kënaqësi për mua të jem këtu të dëgjoj dhe mësoj prej forcave më të vogla ushtarake . Jam këtu të ndaj njohuritë e mia me shtetet tjera, pra të mësojmë nga njëri tjetri”, ka thënë.

Kadeti i vitit të katërt në FSK, Atdhe Ahmeti, ka thënë se  gjatë kësaj jave do të shkëmbejnë njohuri dhe përvojat që kanë marrë gjatë katër viteve të studimeve me kadetë të ndryshëm nga bota.

“Ne gjatë kësaj jave shkëmbyem njohuri dhe përvojat tona që kemi marrur gjatë këtyre katër viteve të studimeve me kadetë të ndryshëm nga akademi të ndryshme. Kjo është një mundësi e mirë si për shkëmbim të njohurive ashtu edhe për shoqërim për të njohur dhe ditur se çfarë kadetët tjerë bëjnë në akademitë e tyre”, ka thënë ai.

Kadetja nga Turqia Habibe Uslu, tha se për të është hera e parë në Kosovë dhe se janë duke u ndjerë si në shtëpinë e tyre.

“Është hera e parë që po vij në Kosovë. Janë gjëra të ngjashme që dhe ne i bëjmë në shkollën tonë atje dhe po ndihem sikur në shtëpinë time. Ky program internacional për një javë ishte shumë i mirë dhe kemi qejf të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Të ngjashme