Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas rinumërimit të 117 kutive me vota, gjë të cilën e kishte urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pas njoftimit të Gjykatës Supreme për ankesat e parashtruara nga kandidatët apo subjekteve politike, do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Derisa rinumërimi i kutive është bërë, Supremja sot deri në orën 14:00 detyrohet të marr vendime për secilën ankesë që në total janë tetë ankesa duke i hapur kështu rrugë certifikimit të menjëhershëm të rezultatit.
Pas certifikimit të rezultateve, pritet të bëhet menjëherë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline sekretari i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi.
“Konstituimi i Kuvendit gjithsesi do të përfundoj këtë muaj. Më saktë konstituimi pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme. Besoj që pas konstituimit të Kuvendit shumë shpejt do të krijohet edhe Qeveria”, ka thënë Sherifi.
E burime të Indeksonline kanë bërë të ditur se dita më e përfolur për konstituimin e Kuvendit është e enjtja e javës së ardhshme.
Kujtojmë se me rregullore, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet brenda tridhjetë ditëve për të mbajtur seancën konstituive.
Kështu, Kryetari dhe Kryesia e legjislaturës së vjetër e përgatisin mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Kryesia e vjetër, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, pesë ditë para seancës inauguruese duhet të thërrasin një takim me kryetarët e partive që kanë hyrë në Parlament, për të përcaktuar rendin e ditës së seancës së parë.
E, në seancën e parë pritet të votohet edhe Kryetari i ri i Kuvendit dhe pesë Nënkryetarët.(Indeksonline)