Juniku apelon të mos hedhen mbeturinat në lumin Erenik

Junik | 09 Gus 2017 | 15:17 | Nga

Komuna e Junikut ka reaguar pas shpeshtimit të rasteve të hedhjes së mbeturinave nga qytetarë të pandërgjegjshëm në lumin Erenik.

Komuna që udhëhiqet nga Agron Kuçi i AAK-së thotë se hedhja e mbeturinave ditë më parë në Lumin Erenik dhe postimi i këtyre mbeturinave në rrjetet sociale vërtetë është për keqardhje dhe aspak nuk e paraqet gjendjen reale të ambientit në këtë komunë.

“Veprimet e tilla janë të patolerueshme dhe nuk tregojnë punë, vullnet e as përkushtim por pretendim të zhvendosjes së vëmendjes nga të arriturat e shumta të Komunës tonë”, thuhet në reagim.

“Të nderuar qytetarë të komunës së Junikut. Siç jeni në dijeni, Komuna e jonë tash e disa vite me një projekt të përbashkët me USAID-in, ka furnizuar me kontejner të gjitha ekonomitë familjare dhe bizneset, me qëllim të mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të mbeturinave. Angazhimi ynë në këtë drejtim është vlerësuar lartë dhe ka treguar shumë sukses në bashkëpunim intensiv me Kompaninë për Menaxhimin e Mbeturinave. Përkundër mbledhjes së mbeturinave nga kompania përgjegjëse, angazhimit të punëtorëve shtesë nga ana e Komunës, pastrimit të Qendrës, parqeve, rrugëve, trotuareve, lumit Erenik dhe reagimit sipas raportimeve të qytetarëve, ende ka persona, të cilët me ose pa qëllim, shkelin Ligjin për Mbeturina numër 04/L-060/2012”, thuhet në një komunikatë të Komunës së Junikut.

“Pavarësisht të gjithave ne jemi të zotuar e përkushtuar që me sukses të realizojmë shumë projekte të filluara duke filluar me projekte të reja, të cilat dukshëm po e përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë”.

Komuna e Junikut thekson se e ka prioritet ambientin e pastër, për shëndetin e të gjithë qytetarëve. “Dhe kjo arrihet me angazhimin e të gjithë neve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme