Kabashi: Paralajmërime si të Macronit ka pasur që 10 vjet, por jo edhe rezultate në raportet Kosovë-Serbi

Prishtinë | 28 Gus 2023 | 15:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analisti politik, Bekim Kabashi, ka thënë për Ekonomia Online se nuk pret që paralajmërimet e presidentit francez, Emmanuel Macron, se mund të merren masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi”, të kenë peshë të madhe në raportet ndërmjet të dyja vendeve.

Sipas Kabashit, thirrje të tilla për normalizim të raporteve ka pasur që një dekadë, mirëpo ato nuk janë përkthyer në rezultate.

Ai nuk beson se do të merren parasysh thirrjet e Macronit, sidomos për formimin e Asociacionit, marrëveshje e cila, sipas tij, është vijim i një periudhe dhjetë vjeçare ku Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të implementojnë marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet vete.

Ndërsa mundësinë për deeskalim të veriut, Kabashi e sheh përmes implementimit të marrëveshjes së Bratislavës, ku parashihet mbajtja e zgjedhjeve në veri.

“Pak a shumë ka një marrëveshje të Kosovës me BE-në për t’u mbajtur zgjedhjet në veri. Sa mbërrin Kosova ta realizojë këtë plan, sepse janë disa kushte paraprakisht: duhet të largohen kryetarët aktualë, por në bazë të marrëveshjes së Bratislavës është thënë që zgjedhjet priten të mbahen gjatë muajit shtator. Tash veç jemi afruar në muajin shtator dhe duhet të ndiqen procedurat për të shkuar drejt zgjedhjeve e cila do të kontribuonte në deeskalimin komplet të situatës në atë pjesë të vendit pas asaj që ka ndodhur gjatë muajve të kaluar”, u shpreh Kabashi.

Ai komentoi deklaratën e presidentit Macron, i cili ka bërë thirrje që të mbahen zgjedhjet në veri, serbët të kthehen në institucione të Kosovës e po ashtu të formohet edhe Asociacioni.

“Tash, ne nuk e dimë se a do të merren parasysh sepse jemi në një sagë sa i përket marrëveshjeve Kosovë-Serbi, sidomos asaj për Asociacionin, është e vitit 2013-15, pra është një periudhë dhjetë vjeçare ku Kosova dhe Serbia nuk kanë mbërri për të implementuar komplet marrëveshjet e aq më tepër për Asociacionin”.

“Kemi edhe marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, ku palët janë pajtuar, përveç tjerash tani ka edhe kushtëzime për sa u përket këtyre marrëveshjeve. BE e ka futur si kushtëzim procesin e integrimit evropian të dy shteteve, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë”, thotë Kabashi, teksa sheh shtim të presionit nga bashkësia ndërkombëtare për të dyja palët.

Për këto mos-implementime të marrëveshjeve, Kabashi, e ka futur në mes integrimin evropian të të dyja vendeve. Ai thotë se ka ngecje, pasi që Kosovës e Serbisë, i është “imponuar” nënshkrimi i marrëveshjeve.

“Te Serbia e lidhë me kapitullin e 35-të që lidhet direkt me procesin e integrimit ndërsa te Kosova e lidhë me pjesë të tjera, kështu që tani do të fillojë presioni edhe më i madh sidomos nga dy partnerët në këtë rast po e quaj në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, SHBA-në dhe BE-në, por se a do të kemi rezultat deri më tani e kemi parë se ka pasur mungesë të vullnetit për të implementuar marrëveshjet edhe pse ato i kanë pranuar me imponim, mirëpo implementimi ka ngecur”, u shpreh Kabashi për EO.

Macron në fjalimin e tij të përvjetmë para ambasadorëve, ka bërë thirrje që palët të riangazhohen edhe për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, serbët të kthehen në institucione të Kosovës e po ashtu ka përmendur edhe formimin e Asociacionit. Ai ka thënë se nga autoritetet e Kosovës presin që “paqja të kthehet” në këtë pjesë.

Të ngjashme