Procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohet pa probleme serioze dhe me dalje të qytetarëve prej rreth 15.10 për qind deri në orët e paradites, tha Festim Kabashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media.
Kabashi tha se sipas informatave që posedon partia, deri më tani nuk është raportuar për parregullsi serioze që do të cenonin procesin zgjedhor, ndërsa vëzhguesit e LDK-së janë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit.
“Sipas informacioneve që kemi deri tash në Lidhjen Demokratike të Kosovës, procesi i votimit është duke u zhvillu në mënyrë të rregullt dhe pa probleme serioze. Deri më tash nuk kemi pranuar ndonjë raportim serioz për ndonjë parregullsi të theksuar që do të mund ta cenonte mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Vëzhguesit tanë janë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit dhe po përcjellin nga afër procesin duke raportuar në kohë reale për zhvillimet, dalja e qytetarëve deri në këtë orë kur po flasim është rreth 15.10%, gjë që tregon për interesimin e qytetarëve për të dalë pra për të qenë pjesë e procesit vendimmarrës demokratik në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën”, tha ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime dhe të ruajnë qetësinë dhe frymën demokratike deri në përfundim të procesit.
“Me këtë rast dëshirojmë t’u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës që të votojnë pra në këtë ditë të rëndësishme për vendin, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike sepse çdo votë ka rëndësi dhe çdo qytetar ka mundësinë të kontribuojë në përcaktimin e drejtimit të vendit. Ftojmë të gjithë pjesëmarrësit gjithashtu që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe frymën demokratike deri në përfundimin e procesit të votimit. Kaq për këtë paraqitje të parë të LDK-së”, tha ai.
Kabashi komentoi edhe pretendimet e kryetarit të Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili ka denoncuar ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për ndikim ndaj qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
“Po e pamë nëpër media këtë denoncim që ka bërë zoti Berisha. Të mirë e ka bërë. I bëjmë thirrje dhe ne si LDK që të kenë kujdes të shtuar të gjitha palët e përfshira në këtë proces elektoral veçanërisht të partisë në pushtet pra ose partive në pushtet. Pra që ta ruajnë qetësinë të mos bëjnë presion tek qytetarët, tani policia është duke u marrë me rastin, presim që do të procedojnë tutje me masat e tjera”, tha ai.
