Kandiq: Odaloviq s’ka besueshmëri morale për të udhëhequr Komisionin për të Zhdukurit

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, përmes dy postimeve në Twitter, e ka përkrahur kërkesën e kryeministrit, Albin Kurti, që të largohet kryetari i Komisionit për të pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq.

Ajo tha se në Kosovë, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit është Ramë Manaj, të cilit në luftë i janë zhdukur djali 18 vjeçar Ylli, vëllai Smajli dhe shumë të afërm të tjerë.

“Veljko Odaloviq nuk ka besueshmëri morale për të udhëhequr Komisionin për Personat e Zhdukur. Ai është kuadri i SPS për pozitat që i përkasin asaj partie – pra në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kuvend…Familjet e viktimave duhet të propozojnë kryetarin e atij Komisioni, një person që nuk është i kompromentuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni”, shkroi Kandiq.

“Kryetar i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Kosovës është Ramë Manaj, djali i të cilit, Ylli 18 vjeçar, vëllai Smajli dhe shumë të afërm të tij herën e fundit janë parë më 4.4.1999 në fshatin Kralan. Mbetjet mortore të vëllait të tij dhe 18 të zhdukurve të tjera janë gjetur në liqenin e Peruçacit. Edhe 48 të tjerë janë në listën e të pagjeturve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha më tej ajo.

Të ngjashme