Kapitalizmi, zgjerim i mirëqënies ekonomike të një grupi shoqëror

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 08:50 | Nga Driton Smakaj

Saherë që e shoh dikë duke fajësuar kapitalizmin si sistem për gjendjen shoqërore në vend, për lirinë e individit në shoqëri, për vuajtjet e punëtorëve në vende të punës, e vërej që ka një keqkuptim të kapitalizmit si definim.


Kapitalizmi në pak fjalë nënkupton përmirësim i mjeteve të punës në procesin e prodhimit dhe fitimet e krijuara gjatë punës, të investohen në diçka të re që krijon prapë të mira tjera materiale, e njikohësisht vende të reja të punës, angazhime të reja të njerëzve tjerë të papunë.


Pra kapitalizmi është zgjerim i mirëqënies ekonomike të një grupi shoqëror.
Ndërsa kur njerëz të caktuar ndërtojnë kapital dhe e koncentrojnë kapitalin vetëm për interesin e tyre duke mos e investuar atë kapital më tutje, më nuk quhet kapital, por pasuri.Dallimi mes kapitalit dhe pasurisë është shumë i madh në ekonominë kapitaliste.Nga momenti që kapitali kalon në pasuri të pronarëve të caktuar, është problem i shtetit për ta trajtuar pasurinë në funksion të mirëqënies së përgjithshme.Prandaj kërkohet nga shteti të rishikon pakot fiskale që duke ndryshuar sistemin e tatimeve i shtyn pronarët e pasurive të caktuara, t’i aktivizojë pasuritë pasive që të kthehen prapë në investime kapitale.Disa vende e kanë edhe tatimin e quajtur ‘Tatimi në pasuri neto’ (net wealth tax) që ia mundëson shtetit të ketë një pasqyrë se çka është kapital aktiv në ekonomi e çka është pasuri që myket në kontot e pronarëve pa ide.


Detyrë e shtetit është të ofron ligjet e caktuara që mbronë liritë e qytetarëve në punë, si dhe ambient të lirë për kapitalistët që kanë ide konkrete për zhvillim.Çdoherë do të ketë ndërmarrës që kanë tendenca për të shfrytëzuar punëtorët përtej kontratës së punës, por është detyrë e shtetit që të mbrojë punëtorët kur ata ofrojnë prova që punëdhënësi e ka shkelë kontratën.Në një treg të lirë të punës, realisht punëdhënësi sot është i shtyrë nga konkurrenca të ofrojë pako shumë atraktive për punëtorët, përndryshe punëtorët largohen nga puna duke gjetur një punë tjetër ku ka trajtim më të mirë.


Shumë shefa të ndërmarrjeve, duke u munduar të lavdërojnë punëtorët, i quajnë ata si një ASET i vlefshëm i ndërmarrjes.Realisht përdorimi i fjalës ‘ASET’ është gabim në koncept, sepse asetet sipas definimit janë mjetet që ndërmarrja i ka në pronësi dhe i kontrollon plotësisht në proces.Ndërsa punëtorët e ndërmarrjes, janë kapital njerëzor dhe pronari i ndërmarrjes nuk e ka kontrollin mbi punëtorët si qënie, por e kontrollon vetëm kohën e punës sipas kontratës. Sëcili punëtor në ndërmarrje ka të drejtë të jap dorëheqje nga puna në çdo kohë dhe pronari i ndërmarrjes nuk ka të drejtë ta kthejë asnjërin në punë nëse ata nuk duan.Pra punëtorët janë të lirë të vendosin për veten e tyre në çdo kohë nëse duan të punojnë apo jo.E kjo liri e punëtorëve bëhet gjithnjë e më e vlefshme, saherë që konkurrenca në tregun e lirë rritet. Nuk ka rritje në tregun e lirë pa rritjen e kapitalit në vend, e këtë rritje e ofron kapitalizmi si sistem.
Liria e punëtorëve zbehet saherë ekonomia bie dhe saherë shteti tenton të kontrollon sëcilin sektor të ekonomisë.Kur shteti provon të bëhet rregullatori kryesor, liria për të gjetur një punë tjetër zvogëlohet dhe si rrjedhojë pronarët e ndërmarrjeve do të shfrytëzojnë edhe më tmerrësisht punëtorët në procesin e punës.Jam i vetëdijshëm që plot njerëz e parapëlqejnë barazinë në shoqëri, qoftë ajo barazi edhe në varfëri. Por në thelb një barazi e tillë shoqërore është një barazi e dështuar kolektive, sepse ul standardin për jetë dhe i kërkohet individit të ndjehet i lumtur me realitetin subjektiv si i barabartë e jo me mundësitë e konkurrencës për të gjetur lumturinë në një garë që të lumturon duke fituar, ose të shtyn për gjëra të reja duke humbur.


Kapitalizmi si sistem nuk është i përkryer. Por, është më i miri sistem i kohës që ofron bazë solide për të ndërtuar politika ku shoqëria mund të dali nga varfëria, dhe të ketë hapa konkret rreth mirëqënies së përgjithshme. Roli i shtetit është të ofron një pako fiskale dhe ligje që e kthen forcën kapitaliste në funksion të një ekuilibri të shëndosh shoqëror.

Të ngjashme