Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova ka zbuluar se Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe kompania “Bechtel & Enka” janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit. Kjo ia pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkojë penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.
Kjo është paraparë në aneks-kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën e ka siguruar KDI-ja.
Aneks-kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milionë euro për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, e njohur si autostrada “Arben Xhaferi”.
Me këtë anek- kontratë, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë “Bechtel & Enkas” për zbatimin e punëve për këtë autostradë.
Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësit për vënien e penaltive për vonesa të Bechtel & Enkas në kryerjen e punëve.
Sipas kësaj aneks-kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyre afati për plus 152 ditë shtesë. KDI përmes konferencës për media në dhjetorin e 2018 ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milionë euro, por deri më tani nuk kemi pranuar asnjë informatë shtesë.