Interi ka lënë pas krahëve disfatën e rëndë në Bergamo ndaj Atalantës, teksa mbrëmjen e sotme mposhti me rezultatin e pastër 3-0 Frosinonen, në ndeshjen e vlefshme për javën e 13 të kampionatit italian.
Në praninë e më shumë se 60 mijë tifozëve në “San Siro”, skuadra e Spallettit mori kontrollin e lojës që në fillim dhe dominoi sfidën gjatë gjithë 90 minutave, çka u reflektua edhe në rezultatin final.
Prej kohësh pritej shpërthimi i sulmuesit senegalez Keita Balde, që iu bashkua zikaltërve vetëm këtë verë, por që nuk kishte gjetur ende golin e parë, ndërsa ishte pikërisht sonte, mbrëmja e duhur për të.
I hedhur në fushë që nga minuta e parë, Keita Balde zhbllokoi sfidën në minutën e 10’, pas një veprimi mjaft të bukur teknik në zonë, që u konkretizua me një goditje me të majtën, me topin që u ndal në rrjetë.
Me nisjen e pjesës së dytë, ishte sërish Interi që kërkonte të mbyllë llogaritë dhe në minutën e 57’, Keita Balde lëviz bukur nga e majta dhe kroson për Lautaro Martinez, me sulmuesin argjentinas që gjuan me kokë dhe dërgon topin për herë të dytë në rrjetë.
Goli i tretë erdhi në minutën e 82-të, dhe pati për protagonist sërish sulmuesin Keita Balde, që mori një pasim nga Politano dhe me një qetësi vrastare, mposhti për herë të tretë portierin Sportiello.
Ndërkohë, Spalletti hodhi në fushë edhe kapitenin Mauro Icardi, i cili luajti për 15 minuta në atë që ishte edhe ndeshja e tij e 200-të në kampionatin italian të futbollit, por argjentinasi nuk arriti të gjejë golin.
Me këtë fitore Interi shkon në kuotën e 28 pikëve, po aq sa ka edhe Napoli i vendit të dytë, ndërsa Spalletti fillon të mendojë për transfertën londineze të së mërkurës në mbrëmje, ku luhet edhe kalimi i grupit në Ligën e Kampionëve.