Kërcënoi Isa Mustafën dhe Abrashin në Facebook, klinasi tani është penduar

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 21:32 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë vite pasi zgjodhi rrjetet sociale për t’i kërcënuar ish-ministrin për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashin dhe Besnik Mustafën, djalin e  Isa Mustafës, në atë kohë kryeministër i vendit, Alban Morina nga Rivexha e Klinës, thotë se u pendua për këtë.

“Papunësia. Më ka ardhur si mllef, nuk e di as vet sepse jam kanë i ri 22 vjet. Nuk e kam menduar që është vepër penale”, tha ai.

Nga pushtetarët në atë periudhë, për Morina ishte thënë se ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.

Por në atë kohë, kjo gjë ishte demantuar nga pushtetarët aktual.

“Çdo raportim që një aktivist i Vetëvendosje-s e ka kërcënuar ministrin apo djalin e kryeministrit është plotësisht i pavërtetë”, kishte thënë Frashër Krasniqi, që në vitin 2015 ishte në sektorin për media të kësaj partie.

E arrestimi i tij ishte bërë vetëm pas 10 dite, kur organet e rendit e kishin bërë lokalizimin e tij.

“Policia ka ardhë me kallasha. Unë kam respekt për ta, jam krenar për ta, por qysh janë ardhë ata më kanë tranu me familjar e krejt”.

Procedura ligjore për dënimin e tij me 3 muaj burg, ishte zgjedhur të bëhet mjaft shpejt.

Ngjarjet e një dite më parë kur kryeministri i vendit Albin Kurti u kërcënua, Morina tha se i përcjelli në rrjetet sociale. Por të njëjtat nuk deshi t’i komentojë.

E ndaj atyre që zgjedhin ta bëjnë një gjë të tillë, ky ka vetëm një apel që ta respektojnë ligjin.

Të ngjashme