Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e uron Kosovën për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 05 Jan 2024 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka vlerësuar se integrimi i Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare është veprimi më i rëndësishëm që do të garantonte sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës për liberalizmin e vizave dhe lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës si gjithmonë dëshmuan se, nuk heqin dorë nga rrugëtimi drejt integrimeve euroatlantike, përkundër pengesave të shumta që dalin gjatë këtij rrugëtimi”, thuhet në postimin e tyre.

Në postim thuhet se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është shprehur krenar që liberalizimi i vizave nga BE për qytetarët e Kosovës ka qenë prioritet në agjendën e vet.

“Republika e Kosovës është shembull i demokracisë për tërë rajonin, e cila po dëshmohet çdo ditë e më shumë, si dhe qytetarët e saj, e merituan lëvizjen e lirë për një kohë të gjatë”, thuhet tutje në postim.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se integrimi i Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare e sidomos anëtarësimi në NATO është veprimi më i rëndësishëm që përfundimisht do të garantonte sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Të ngjashme