Këshilli i Europës ia jep fjalën Kosovës, a do ta bëjë anëtare të familjes?

Prishtinë | 11 Tet 2022 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Zhvillimet për Kosovën në Këshill të Europës, aty ku aplikacioni për anëtarësim u dorëzua në mes të majit të këtij viti, po ndodhin në mënyrë “konfidenciale”. Pala kosovare dhe vetë Këshilli nuk japin shumë përgjigje se çfarë po ndodhë me hapat që  Kosova po i bën në Strasbourg. Për t’u dukur se është në ngjarje për procesin po flet vetëm Aleksandar Vuçiq, duke dhënë edhe data për lëvizjet e reja. Organizata e vjetër europiane për të drejtat e njeriut, të martën, bëri një befasi duke ia dhënë fjalën për herë të parë një përfaqësueseje të Kosovës, ndërsa rezervoi edhe vende për deputetët kosovarë. 

Një sinjal pozitiv sot nga KiE erdhi sot për Kosovën. Për herë të parë asaj iu dha fjala në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës. Zëri i Kosovës në këtë mbledhje u dëgjua nga deputetja e mbijetuar e luftës, Saranda Bogujevci, e cila dëshmoi edhe për historinë e masakrës së familjes së saj derisa fliste për atë që po shkakton Rusia në Ukrainë.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Ne do të jemi gjithmonë me ju në këtë luftë”, tha ajo.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan, në një lidhje direkte për T7 nga Strasburgu bëri të ditur edhe një lajm tjetër të mirë. Deputetët e Kosovës tash i kanë edhe ulëset e tyre në sallën e Asamblesë Parlamentare, ku më herët kanë qëndruar vetëm si mysafirë.

Fjalimi i parë nga Kosova u mirëprit me duartrokitje në Asamblenë e Përgjithshme. Por, a do të ketë të njëjtin fat edhe aplikimi për anëtarësim?

Së fundi, është rritur frika te udhëheqësit në Serbi se Kosova mund të fitojë ulësen në një organizatë të rëndësishme, prandaj misioni diplomatik serb shtoi përpjekjet për të penguar këtë proces.

Ambasadorja serbe në Këshill të Europës, Aleksandra Gjuroviq, e kumtoi si një arritje diplomatike të saj se ka luftuar që çështjen e anëtarësimit të Kosovës ta heqë nga pika e rendit të ditës në mbledhjen e fundit Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Megjithatë, pas kësaj mbledhje ajo ka deklaruar se Kosova mund të jetë në agjendën e ndonjërës prej mbledhjeve të ardhshme të Komitetit të Ministrave. Ajo iu tha mediave serbe se parakusht për këtë është që Byroja e Këshillit të Europës ta përfshijë pikën për Kosovën në agjendën e saj të propozuar për takimin dhe Byroja aktualisht përbëhet nga ambasadorët e Irlandës, Islandës, Italisë, Hungarisë, Letonisë dhe Lihtenshtajnit.

Shumica e kërkuar për këtë është dy të tretat, ndërsa në Këshill të Europës 34 nga 46 anëtarët e KiE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kjo do të thotë se shifrat nuk janë në favorin tonë, por ne po luftojmë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare me aktivitet intensiv diplomatik dhe nuk do të ndalemi me kaq”, ka thënë Gjuroviq.

Për pranimin e mundshëm të Kosovës në KiE është deklaruar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se është i vetëdijshëm për “atë që e pret”. Për më tepër, ai dha edhe data se kur mund të ndodhë nisja e procedurave.

“Ajo që na pret është që më 2 apo 3 nëntor të fillojë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, po presin që anëtari hungarez të largohet nga Byroja e Komitetit të Ministrave dhe të zëvendësohet nga një anëtar lituanez dhe atëherë do të fillojnë procedurën që zgjasin shumë, por me një rezultat të qartë që Kosova të hyjë në Këshillin e Europës”.

Por, një zyrtar për media të martën nuk ka mundur t’i thotë shumë Gazetës Express. Ai ka theksuar se agjenda e takimit të ministrave është konfidenciale.

Nga ana tjetër, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, përveç deklarimeve fillestare se është optimiste që ky synim do të përfundojë në favor të Kosovës, së fundi s’e ka thënë asnjë fjalë mbi këtë proces.

Megjithatë, për qëndrimin rishtas në Strasburg të Gërvallës dhe takimet e saj ku ka folur për aplikimin e Kosovës në Këshill të Europës janë deklaruar palë të tjera.

Ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, vendi i së cilës aktualisht është anëtar i Byrosë së Këshillit të Europës, njoftoi për një takim me Gërvallën.

“Diskutimi ynë u fokusua në marrëdhëniet tona bilaterale, thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit tonë ekonomik dhe aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”, tha ajo.

Gërvalla u takua edhe me ambasadorin irlandez në Këshill të Europës, po ashtu anëtar i Byrosë të KiE.

“Këtë mëngjes Ambasadori O’Reilly është takuar me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz për të diskutuar angazhimet e saj me Këshillin e Europës”, kishte njoftuar faqja zyrtare e Irlandës për KiE.

Misioni i Kosovës në Strasburg në prani të minsitres Gërvalla ka organizuar një pritje për ambasadorë shtetesh në Këshill të Europës. Nga aq sa mund të shihet në fotografi, të cilat i publikoi Lulzim Hiseni, ambasadori i Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme në Strasburg.

“Nder i madh që të pres ambasadorët në Strasburg në prani të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe një performancë thellësisht prekëse nga pianistja e mrekullueshme kosovare, Ardita Statovci. Për t’iu bërë jehonë fjalëve të saj: “Na jepni një shans të barabartë dhe ne do të shkëlqejmë””, ka shkruar Hiseni.

Duke treguar se ishte pjesë e këtij organizimi, ambasadorja franceze në Këshill të Europës, Marie Fontanel, duartrokiti performancën e pianistes kosovare.

“Koncert madhështor për piano organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës me rastin e vizitës në Strasburg të zëvendëskryeministres, Donika Gërvalla Schwarz. Kur energjia, vendosmëria, vizioni kalojnë edhe përmes muzikës… nuk ka më nevojë për fjalë!”.

Të ngjashme