Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se janë duke u komanduar nga persona që s’kanë asnjë kompetencë në Qeverisjen Kurti.
Tahiri, ka pyetur se si mund të besohet dikush që s’ka as mandat e as pozitë e që s’jep llogari për veprat e veta.
“Si mund t’iu besojnë qytetarët institucioneve, kur në prapavijë të tyre komandon dikush tjetër. Dikush që s’ka as mandat, as pozitë, as autorizim e rrjedhimisht, nuk jep as llogari për veprat e veta”.
“E mosbesimi, është hapi i parë i rënies së një shteti modern. Megjithatë, qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë ditur ta bëjnë diferencën, kur është fjala për atë çka na përbashkon në fatin tonë kolektiv – sigurinë dhe perspektivën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social ‘Facebook’.
Sipas tij, tashmë qytetarët do të vendosin për ta ndryshuar situatën më 9 shkurt.
“Duke i çliruar institucionet nga kapelat e zeza. Ata duan qeverisje të hapur, transparente, llogaridhënëse e me perspektivë”.
Ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), të mërkurën opozita e ka vlerësuar si tendencë për ta mbytur fjalën e lirë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë fjalimit të tij para Radio Televizionit të Kosovës pasi s’u ishte lejuar hyrja brenda objektit ka deklaruar se veprimi i RTK-së tregon se po dëshiron që ta mbyt zërin e qytetarit.
“Sot është kulmi i pafytyrësisë dhe i asaj pak shprese që ka mbetur që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur, dhe të kryejë detyrat dhe autorizimet e tij ligjore sipas moralit dhe ndershmërisë”.
“Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të Radio Televizionit të Kosovës, që nënkupton mbytjen e zërit të deputetit, fshehjen nga e vërteta të cilat po ndodhin çdo ditë nga afera korruptive. Kjo do të thotë që mbytet edhe zëri i qytetarit”, ka deklaruar Zemaj.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, para gazetarëve ka thënë se RTK-ja është institucion që duhet të i jap llogari deputetëve e qytetarëve.