Këshilltari i Limajt i përgjigjet Vuçiqit, e quan ish-ministër të Millosheviqit

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 23:55 | Nga

Endrit Shala, anëtar i Kryesisë së Nismës, njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur që Limaj të jetë kryenegociator në bisedimet me Serbinë.

Deklarimi i Shalës vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot më herët se Serbia nuk e pranon Fatmir Limajn për kryenegociator.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Shala ka thënë se tashmë ka kohë kur Serbia nuk vendos se kush udhëheq dhe përfaqëson popullin e Kosovës, duke shtuar se as Vuçiqi nuk do ta ketë këtë mundësi.

Ai ka thënë se Kosova është shtet dhe i ka institucionet e veta dhe përcakton vetë se kush udhëheq Kosovën dhe nuk mirren me deklaratat e një ish-ministri të Millosheviqit.

Reagimi i Endrit Shalës postuar në rrjetin social Facebook:

Tash e sa vite Serbia nuk vendos se kush e udhëheq dhe e përfaqëson popullin e Kosovës. As Vuçiqi nuk do ta ketë këtë mundësi asnjëherë. Kosova është shtet, I ka institucionet e veta dhe I përcakton vetë kush e udhëheqë Kosovën dhe nuk mirremi me deklaratat e një ish ministri të Millosheviqit, Në fakt, Vuciq sa ka qenë ministër e zëdhënës i regjimit kriminal të Millosheviqit e ka pas krijuar një ekip të ashtuquajtur shqiptar të ndershëm, që sipas tij, përfaqëson shqiptarët, bile edhe në Rambuje i ka pas në delegacionin serb. Ajo kohë ka përfunduar moti.

Sikurse ne në Kosovë nuk mund të vendosim kush e përfaqëson Serbinë, pavarësisht që në krye të atij shteti është njeriu që ka projektu e zbatu spastrimet etnike në Kroaci, Bosnë e Kosovë. Sigurisht, jo të gjithë kanë aktgjykime të formës së prerë të dënuar për gjenocid e krime kundër njerëzimit nga gjykata ndërkombëtare në Hagë. Pavarësisht, kësaj ne jemi të përkushtuar për dialog, mirëkuptim e paqe me gjithë fqinjët tanë duke respektuar interesat e secilit pa cenuar interesat e shtetit të Kosovës.

Vuciq duhet ta ketë të qartë se qeveria e Kosovës ka vendosur zotëri Limajn udhëheqës të negociatave nëse Vucic dëshiron të ketë negociata me Kosovën atëherë ai duhet ta dijë se kryenegociatori i bisedimeve i caktuar nga qeveria e Kosovës është zotëri Limaj.

Të ngjashme