KGjK-ja emërohet anëtare e bordit të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 16:20 | Nga

Në ditën e dytë të Konferencës së 12-të ndërkombëtare të Rrjetit të Këshillave Gjyqësorë të shteteve anëtare të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, e cila po mbahet në Burgas të Bulgarisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), me shumicë votash u emërua për herë të parë anëtare e bordit të këtij Rrjeti.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, me vota unanime është rizgjedhur përsëri Gjin Gjoni, President i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësor, me mandat dy vjeçar.

Konferenca ka vazhduar punimet temën, “Roli i Këshillave të Gjyqësorit në luftën kundër terrorizmit”.
Edhe përfaqësuesit nga Kosova dhanë kontributin e tyre lidhur me temën në fjalë. Ishte kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi i cili në fjalimin e tij në mes të tjerash citoi:

‘’Terrorizmi sot është një fenomen global me shtrirje dukshëm përtej kufijve konvencional të shteteve sovrane. Të qenit të kërcënuar nga terrorizmi sot nuk përbën një lajm, dhe gati se çdo shoqëri demokratike sot nuk është e imunizuar nga ky fenomen. Kosova duke qenë një vend në tranzicion demokratik, megjithatë, mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve që shfaqin sulmet dhe aktivitetet terroriste. Por, përkundër kësaj, përpjekjet në luftimin e këtij fenomeni asnjëherë nuk janë të izoluara, por kryhen si veprime të orkestruara dhe mirë të bashkërenduara, ashtu që, rreziku nga sulmet terroriste të zvogëlohet në minimumin e mundshëm. Kosova nuk është një vend i origjinës së terrorizmit, megjithatë, ka themeluar edhe strukturat e veta kryesore që t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërcënimeve ndaj terrorizmit. Këto struktura dhe institucione nuk reduktohen në instanca klasike të sundimit të ligjit, por shkojnë përtej kësaj skeme. Këtu, padyshim që institucionet e drejtësisë kanë një rol të madh dhe pjesë të përgjegjësisë’’, tha Idrizi.

Gjithashtu, u vendos që takimi i radhës i konferencës së 13-të, ndërkombëtare e Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, do mbahet në fund të muajit qershor në Mal të Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme