KGjK mbajti punëtorinë “Reforma ligjore dhe administrative”

????????????????????????????????????
Prishtinë | 29 Jan 2018 | 16:28 | Nga

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Projekti i GIZ-it kanë mbajtur sot Punëtorinë Vjetore të Partnerëve të Projektit, ‘Reforma Ligjore dhe Administrative – Progresi dhe Planifikimi”. Me këtë rast është bërë vlerësimi i progresit të punës me partner për vitin 2017 dhe prezantimi i aktiviteteve për vitin 2018.

Të pranishëm në këtë takim, si partnerë, ishin dhe përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë, Gjykata Themelore e Prishtinës, Gjykata Themelore e Mitrovicës, Ministria e Administratës Publike, Instituti i Kosovës për Administratë Publike, Agjencia për Barazi Gjinore.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryesuesi i KGjK, Nehat Idrizi, i cili e vlerësoi lartë Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për përkrahjen e vazhdueshme dhënë institucioneve të Kosovës në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht të institucioneve të sundimit të ligjit, me fokus të veçantë tek Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Akademia e Drejtësisë dhe Gjykatat, por pa përjashtuar këtu edhe institucionet tjera në nivel vendi. Por si përpjekje konkrete për asistencë në ngritje të kapaciteteve institucionale, ai e cilësoi ’Projektin për Reformë Ligjore dhe Administrative.

Gjatë takimit, roli i projektit në fjalë u cilësua si i rëndësishëm dhe mbështetës për fuqizimin e kapaciteteve të Gjykatave, më konkretisht Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore të Prishtinës, si Departament që merret ekskluzivisht me lëndët e natyrës administrative. Projekti në këtë fushë ka synuar zvogëlimin e rasteve gjyqësore të grumbulluara në këtë Departament, dhë këtë përmes dy mënyrave, së pari, duke fuqizuar kontrollin e brendshëm të akteve administrative nga vetë personeli i administratës, dhe së dyti, duke ngritur efikasitetin e brendshëm të vetë Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore, duke përmirësuar procedurat e brendshme dhe rritjen e transparencës, duke përfshirë edhe publikimin e aktgjykimeve.

Pjesë tjetër dhe jo më pak e rëndësishme e Projektit i dedikohet edhe asistencës procesit të integrimit të sistemit gjyqësor në Veri, një proces ky mjaft sfidues, por edhe një nga sukseset e gjyqësorit në përgjithësi, falë përkushtimit të të gjithë akterëve të përfshirë në proces.

‘Kjo komponentë duhet parë gjithashtu, me mjaft vëmendje pasiqë fusha e intervenimit të Projektit do të jetë dobiprurëse për vet gjyqtarët dhe stafin administrativ të integruar në gjykatat në Veri. Projekti do të ndihmojë në shkëmbimet profesionale mes stafit gjyqësor dhe jo-gjyqësor në gjykatat në Veri dhe Jug, kësisoj duke ndërtuar urat e komunikimit dhe shkëmbimit institucional në fillimet e implementimit të integrimit të gjyqësorit‘, – tha në mes tjerash kryesuesi Idrizi.

Nga ana tjetë, Karl Weber, Udhëheqës i Projektit të GIZ, ‘Reformë Ligjore dhe Administrative – Progresi dhe Planifikimi‘, shprehu kënaqësi të veçantë që ishte sot në mes të partnerëve për të vlerësuar progresin e punës një vjeçare dhe për të shpalosur Planin vjetor për vitin 2018.

‘Nuk do të mungoi bashkëpunimi me ju dhe do të keni mbështetje edhe më të madhe pasi që, vet natyra e punës sonë është që me përpjekjet tona, t’ju mbështesim në ngritjen e efikasitetit të punës dhe të një gjyqësori më funksional në shërbim të qytetarëve’ – theksoi Weber.

Të gjithë partnerët e këtij Projekti, njëzëri e falënderuan GIZ-in, edhe emër të kolegëve të institucioneve të tyre, për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme, ku me anë të trajnimeve, ky Projekt bazuar në objektivat e veta ka pasur si qëllim kryesor që institucionet gjyqësore dhe administrative të sigurojnë themele të vendimeve të pa anshme dhe të arsyetuara mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme