Ylli amerikan televiziv, Kim Kardashian West, i është bashkuar klubit elitar të personave shumë të pasur, duke e arritur statusin e miliarderes.
Pasuria e saj neto e ka arritur shumën prej 1 miliard dollarëve, falë bizenseve të saj të kozmetikës dhe veshjeve, si dhe të hollave të fituara nga emisioni televiziv “Keeping Up With The Kardashians”, marrëveshjeve për reklamim dhe investimeve në biznese të ndryshme.
Tani, ajo është pjesë e listës së famshme “Miliarderët e botës” të përpiluar nga revista “Forbes”, duke u bërë pjesë e 2.755 figurave tjera që janë pjesë e saj.
Themeluesi i kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos, e udhëheqë këtë listë me një pasuri prej 177 miliardë dollarëve.
Disa prej personaliteteve tjera amerikane që i janë shtuar kësaj liste sivjet janë: themeluesja e aplikacionit të takimeve “Bumble”, Whitney Wolfe Herd, me një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë, regjisori dhe producenti i njohur hollywoodian, Tyler Perry, me një 1 milion dollarë pasuri të llogaritur dhe e veja e manjatit të kazinove Sheldon Adelson, Miriam Adelson, e cila llogaritet ta ketë një pasuri prej 38.2 miliardë dollarëve.
Bashkëshorti i bukuroshes 40-vjeçare, Kim Kardashian, reperi i njohur nga Chicago, Kanye West, tashmë është pjesë e kësaj liste falë pasurisë prej 1.8 milionë dollarëve, por motra e saj e vogël, Kylie Jenner, u largua nga lista në maj të vitit të kaluar. Revista “Forbes” pretendoi se familja e saj e kishte fryrë vlerën e biznesit të saj të kozmetikës.
Kim e themeloi kompaninë e produkteve kozmetike “KKW Beauty” në vitin 2017, ndërsa dy vjet më vonë e themeloi edhe markën “Skims” e cila prodhon rroba të brendshme dhe rroba banje. Në tetor të vitit të kaluar pasuria e saj e kapte shifrën prej 800 milionë dollarëve, por falë marrëveshjes prej 200 milionë dollarësh të arritur nga shitja e 20 për qind të aksioneve të kompanisë së saj “KKW Beauty” gjigantit në fushën e biznesit “Coty”, Kim arriti të shndërrohet zyrtarisht në miliardere.
Ajo u bë e famshme në vitin 2007 si personalitet i emisionit “Keeping Up With The Kardashians”, i transmetuar në televizionin “E!” dhe i cili ekranizon përditshmërinë e familjes së saj. Nga atëherë, të gjitha anëtarët e familjes Kardashian/Jenner kanë arritur të bëhen tejet të famshëm, si dhe e kanë shfrytëzuar këtë famë për t’u avancuar në fushën e biznesit.
Në muajin shkurt të këtij viti u bë i ditur lajmi se Kim ka bërë kërkesë për shkurorëzim nga reperi, Kanye West, pas shtatë vjetësh martesë dhe sjelljes në jetë të katër fëmijëve.