Kina dhe Jordania kanë bërë thirrje që armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të ruhet, ndërsa kanë kërkuar edhe rikthimin e qarkullimit normal përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit në Pekin, dy vendet theksuan nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të adresonte shkaqet themelore të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës, kjo zgjidhje duhet të arrihet përmes dialogut dhe negociatave, me synim uljen e tensioneve dhe garantimin e stabilitetit në rajon, raporton Sky News.
Kina dhe Jordania shprehën gjithashtu “shqetësim të thellë” për veprimet përshkallëzuese të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Deklarata u bë pas takimit të presidentit kinez, Xi Jinping, me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, në Pekin të hënën.