Në përkujdesje të kryetarit të komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë, sot është mbajtur Akademi përkujtimore kushtuar ish- luftëtarit dhe invalidit të UÇK-së, Brahim Krasniqit- Xha Braho, nga fshati Caravik i Klinës, i cili vdiq një vit më parë.
Me këtë rast, në fshatin e tij të lindjes është zbuluar edhe pllaka përkujtimore. Ai ishte plagosur nga forcat serbe gjatë kohës së luftës më 2 gusht të vitit 1998 në betejën tek “Zabeli i Bashotëve” në Caravik.
Në Akademinë e organizuar me këtë rast në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, kryetari i komunës Sokol Bashota, tha se sot po përkujtojnë një bashkëluftëtar të tij, “njeriun që këtë buzëqeshje ia fali këtij vendi; njeriun që u lind dhe u rrit gjithmonë me porosinë se vetëm përmes luftës mund t’ia sjellim lirinë këtij vendi”.
“Neve na kanë inkurajuar njerëzit si Xha Braho dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë, të cilët, edhe pse në moshë të shtyrë, vullnetarisht pranuan që të jenë bashkë më djem dhe vajza të reja në vija të para të frontit. Ai vullnetarisht shkoi në Shqipëri për të sjellë armatim për shokët që i kishte në front. Ky veprim i tij, edhe shumë të tjerëve në moshë si ai, vërtet ishin inkurajim për gjeneratat e reja që hynë në luftë. Ne duhet t’i kujtojmë ata që dhanë shumëçka për këtë ditë”, ka thënë kryetari Bashota.
Folën edhe Blerim Kelmendi, Albion Krasniqi dhe Xhavit Dauti, të cilët vlerësuan lartë kontributin e Xha Brahos për lirinë e këtij vendi.