Klubet e basketbollit pajtohen me anulim të edicionit pa u shpallur kampioni

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Shpejt pritet të dalë vendimi nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për anulim të kampionatit në të gjitha kategoritë, pa u shpallur kampioni.

Ky vendim i detyrueshëm nga Bordi i FBK-së do të merret për shkak të situatës së krijuar në gjithë botën pas përhapjes së pandemisë koronavirus. E me këtë vendim të FBK-së, që pritet të merret gjatë kësaj jave, do të pajtohen plotësisht edhe klubet. FBK-ja javë më parë ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive për një afat të pacaktuar. Por, duke pasur parasysh situatën me koronavirusin, FBK-ja duhet të reagojë së shpejti me një vendim tjetër, të prerë për këtë edicion.

“Anëtarët e Bordit të Federatës janë të mendimit që të anulohet i gjithë kampionati dhe janë në pritje të momentit për ta bërë publik këtë vendim”, i ka thënë gazetës një burim i afërt me FBK-në, në kushte anonimiteti.

Ndërkohë në Federatë nuk kanë dashur të flasin për një gjë të tillë, duke shtuar se së shpejti të gjithë do të informohen me vendimin. Gjithashtu në FBK kanë shtuar se vazhdimisht janë në kontakte me FIBA-n.

Gazeta gjatë të hënës ka kontaktuar me katër klubet e para të këtij edicioni që u pezullua pas përhapjes së koronavirusit edhe në Kosovë. Dhe, tri nga klubet kanë theksuar se janë pajtuar tashmë me vendimin që pritet ta marrë shpejt Federata për anulimin e kampionatit.

Liderja e Superligës pas 24 xhirove të zhvilluara, Sigal Prishtina, kanë theksuar se nuk janë të interesuar ta fitojnë titullin pa u zhvilluar deri në fund kampionati. Kështu që, në klub pajtohen me vendimin e FBK-së për pezullim të kampionatit.

“Ne e mbështesim plotësisht vendimin e FBK-së, që të anulohet krejtësisht kampionati. Nuk do të ishte e logjikshme të zhvillohet kampionati në këtë situatë të krijuar në gjithë botën. Nëse FBK-ja do ta anulonte kampionatin, do të ishte vendim i duhur, pasi Prishtina nuk dëshiron të fitojë në këtë mënyrë titullin, por në parket”, ka thënë kryetari i klubit më të trofeshëm në vend, Shkëlzen Fetiu.

Në të vërtetë, më herët në diskutim ka qenë që titulli t’i takojë liderit të deritashëm, ashtu siç kanë vepruar Lituania dhe Belgjika, e po ashtu edhe disa shtete të tjera. Megjithatë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë edhe në basketbollin e Kosovës.

Të ngjashme