Ylli kosovar do të largohet nga Werder Bremeni gjatë verës. Krahas Aston Villës në Angli, 24 vjeçari pëlqehet edhe në Itali dhe në Gjermani
Milot Rashica do të largohet gjithsesi nga Werder Bremeni gjatë verës që vjen. Ndërkohë, interesimi i klubeve evropiane për shërbimet e yllit kosovar nuk po mungon. Mediat britanike shkruajnë se Aston Villa e ka rikthyer interesimin për futbollistin ofanziv.
Madje, “BirminghamLive” shkruan se klubi anglez tashmë e ka kontaktuar Werderin për sulmuesin e krahut, përcjell Gazeta Express. Mbetet të shihet nëse 24 vjeçari do t’i bashkohet klubit nga Birminghami gjatë verës që vjen. Ndërkohë, futbollisti vushtrrias ka edhe opsione të tjera.
Gjithnjë sipas mediave britanike, ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe Vitesses e duan edhe klubet tjera të Premierligës, Leeds United dhe Southampton. Ndërkohë, dje mediat italiane raportuan se në garë për Rashicën janë futur edhe Milani e Napoli. E në Gjermani, qe një kohë atë e vëzhgojnë edhe Leipzigu dhe Bayer Leverkuseni.
Pra, me shumë gjasa, Rashicën sezonin tjetër mund ta shohim duke luajtur në Premierligë ose në Serie A. Por, nuk përjashtohet mundësia që të vazhdojë të luajë në Bundesligë. Klubet e interesuara mund ta bëjnë të vetin sulmuesin e krahut për 15 apo 16 milionë euro. Rashica i ka zhvilluar 24 ndeshje këtë sezon në Bundesligë, ndërsa i ka realizuar tre gola.