Koci: Marty e pa se pretendimet e tij për “shtëpinë e verdhë” janë të pavërteta, prandaj iu kthye mediave serbe

Prishtinë | 27 Jan 2019 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj një interviste të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, gjegjësisht hartuesit të një raporti që inkriminon figurat kyçe të UÇK-së për trafikim me organe të njerëzve, Dick Marty, dhënë mediumit serb “Novosti”.

Koci, përmes një postimi në Facebook, thotë se Marty, duke e parë se pretendimet e pabazuara të tij lidhur me “shtëpinë e verdhë”, pas hetimeve po dalin të jenë të pavërteta, ai u kthehet mediave serbe dhe pohon se “Tribunali i Hagës i ka thënë se ‘ato dëshmi lidhur me ‘shtëpinë e verdhë’ më nuk ekzistojnë dhe se i kanë hequr, sepse edhe ashtu askujt s’i shërbenin’”.

“Aludimet e z.Marty janë të qarta: Tribunali i Hagës – një gjykatë me renome botërore, nuk e ka kryer punën si duhet. Të gjithë e kanë gabim, vetëm ish-senatori zviceran e paska mirë”, ka shkruar Koci në reagimin e tij ndaj Martyt.

Sidoqoftë, Koci beson se një raportues i Këshillit të Evropës, pas dorëzimit të raportit, duhet të presë derisa organet tjera ta kryejnë punën e vet e që në këtë rast janë Prokuroria dhe Gjykata.

“Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media. Z. Marty, si ish-prokuror, e di këtë shumë mirë”, thotë avokati Koci, duke shtuar se “me deklarimet e tilla, me aludime të qarta, po shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë i cili është i garantuar me Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare, dhe intervistat e tilla mund të cilësohen si tentativë për ndikimin në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme