Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thotë se është koha e fundit që si shoqëri dhe shtet të dalin në mbështetje dhe mbrojtje të grave

Prishtinë | 15 Pri 2024 | 19:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të hënën ka protestuar në shenjë revolte për vrasjen e 21-vjeçares nga ish-bashkëshorti në komunën e Ferizajt. Revolta e protestueseve ishte shprehur në disa pankarta, ku në njërën nga to ishin të shkruara emrat e grave të cilat janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

“Gratë ndërtojnë shtetin, shteti vret gratë”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Siguri për vajzat dhe gratë”, ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e protestueseve, raporton Ekonomia Online.

Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar drejt rrugës tek Ministria e Drejtësisë, ku gjatë rrugës dëgjoheshin brohoritje nga Kolektivi që siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare. Ndërsa, kërkuan barazi, liri dhe solidaritet.

Gjatë marshit protestues u vendosen edhe mbishkrime me ngjyrë të kuqe në hyrje të Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Kosovës dhe një tek sheshi “Skënderbeu” dhe te hyrja e Qeverisë. Dashurie Ukësmajli, aktiviste në Ferizaj, tha se kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësve në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mirëqenies së vajzave dhe grave.

Tutje u tha se është koha e fundit që si shoqëri dhe shtet të dalin në mbështetje dhe mbrojtje të grave për ta ndaluar siç u quajt një çoroditje dhe tronditje e vazhdueshme.

Kurse një tjetër aktiviste, Bjeshka Guri tha se, është bërë përpjekje e vazhdueshme që kjo shoqëri të ofrojë siguri dhe mbrojtje për gratë.

Nga e njëjta aktiviste, u kërkua nga Qeveria vajzat dhe gratë mos t’i shohin më si qytetare të rëndomta, por shteti të trajtojë me prioritet pasigurinë e grave dhe të shpallë çështjen e femicidit si urgjencë kombëtare. Guri shtoi se nuk duan më përgjigje të thata dhe mediokër nga Qeveria ndaj dhunës dhe pasigurisë së skajshme me të cilën jetojnë gratë.

Të ngjashme